Pesë persona kanë vdekur pasi një avion pasagjerësh dhe një i rojeve bregdetare japoneze u përplasën në pistën e Aeroportit Haneda të Tokios.
Të 379 pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit të avionit të pasagjerëve, që u përfshi nga zjarri pasi ateroi në Haneda, kanë shpëtuar, njoftoi më 2 janar Japan Airlines.
Në pistë, ky avion u përplas me një avion të rojeve bregdetare japoneze, raportuan mediat japoneze duke cituar Ministrinë e Transportit. Pesë persona që gjendeshin në avionin e rojeve bregdetare raportohet se kanë vdekur.
Ndërkaq, piloti – një prej gjashtë pilotëve në bord – ka pësuar lëndime serioze.
Pasagjerët në bord kanë rrëfyer tmerrin e përjetuar, teksa nuk besonin se do të dilnin të gjallë pasi çdo gjë në avion u pushtua nga tymi.
Suedezi Anton Deibe, 17 vjeç, një pasagjer në avion, përshkroi kaosin pas përplasjes pasi Airbus A350 u ndal në pistë.
“E gjithë kabina u mbush me tym brenda pak minutash”, tha ai për gazetën suedeze Aftonbladet. Tymi në kabinë dukej si ferr, ishte ferr. U shrimë përtokë, pastaj u hapën dyert e emergjencës dhe u hodhëm në to. Ne nuk e kishim idenë se ku po shkonim, por dolëm me vrap në pistë. Ishte kaos.”
Ai, prindërit dhe motra e tij arritën t’i shpëtonin rrënojave të padëmtuara.
Satoshi Yamake, një pasagjer 59-vjeçar, tha se ndjeu se avioni ishte “anuar në anën dhe ndjeu një përplasje të madhe” në përplasjen fillestare.
Fluturimi 516, që po transportonte pasagjerë nga Hokaido, u përfshi nga zjarri në pistë dhe më pas u dogj i tëri. Por, 367 pasagjerët dhe 12 anëtarët e ekuipazhit u evakuuan.