Ndonëse kanë të ardhurat më të ulëta në Europë, ka shumë produkte që familjet shqiptare detyrohen që t’i blejnë më shtrenjtë sesa në vende të tjera europiane.
Eurostat publikon indeksin e çmimeve të konsumit, me referencë mesataren e Bashkimit Europian (BE=100) për produktet kryesore të shportës për vendet e BE-së dhe Ballkanit perëndimor (të dhënat për Kosovën mungojnë). Të dhënat e fundit të përditësuara i përkasin vitit 2022.
Pijet alkoolike janë produkti që shqiptarët e blejnë më shtrenjtë se Europa, me 25% më shumë se mesatarja europiane. Alkooli më i shtrenjtë në Europë është në Irlandë, me 60% më shumë se mesatarja Europiane dhe më i liri në Maqedoninë e Veriut dhe Turqi, 33.7% përkatësisht sa 26.4% e mesatares europiane.
Pajisjet elektroshtëpiake janë gjithashtu të shtrenjta, teksa kushtojnë 22% më shumë sesa mesatarja europiane, e katërta në Europë, pas Islandës (131%), Maltës (128%). Norvegjisë (124.6%). Më të lirat në Europë, pajisjet elektroshtëpiake i gjen në Poloni (85% e mesatares europiane).
Shqipëria është një vend bujqësor, por qumështin dhe djathin nuk i ka më aq të lira. Rënia e numrit të krerëve, rritja e kostove dhe problemet me ekonominë e shkallës, për shkak të fermave të vogla kanë bërë që familjet shqiptare ti blejnë këto produkte 11.8% më shtrenjtë sesa mesatarja europiane, duke u renditur e 14. Më të shtrenjtat këto produkte janë në Islandë (1675) dhe më të lirat në Poloni (74.6%).