Ditë zie në familjen e Robert Berishës

Ka ndërruar jetë dirigjenti shqiptar Bajar Berisha. I ndjeri është xhaxhai i Robert Berishës.

Këngëtari e ka ndarë lajmin e hidhur me ndjekësit e tij duke shkruar: “Për ditëlindje të mamit shkove o axhë”.

I ndjeri do të varroset sot në orën 13:00 në varrezat e qytetit të Prishtinës.

Dirigjenti dhe profesori Bajar Berisha vdiq të martën në moshën 73-vjeçare. Berisha kishte qenë udhëheqës artistik-dirigjent i Orkestrës Simfonike të Prishtinës (RTP), dirigjoi edhe me Filarmoninë e Beogradit, me Orkestrën Simfonike të Teatrit Kombëtar Kroat të Zagrebit, Orkestrën ‘Camerata” të Prishtinës, Orkestrën dhe Korin e Fakultetit të Arteve.

“Veçohet koncerti me Orkestrën Simfonike të RTP-së në ‘Lojërat Verore’ të Dubrovnikut në vitin 1981”, shkruan në Enciklopedinë e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Berisha kishte kryer studimet në Fakultetin e Arteve në Beograd në vitin 1972/73, ndërsa studimet e magjistraturës i ndoqi në Sarajevë, derisa provimin e magjistraturës e kreu në Beograd me Filarmoninë e Beogradit.

Ai pasi kishte përfunduar studimet kishte nisur punën në shkollën e mesme muzikore në Prishtinë, e pas hapjes së degës muzikore pranë Akademisë së Arteve në Prishtinë më 1975/76 u bë ligjërues për lëndën “Dirigjim dhe Kor” dhe pas një mandati ai u rizgjodh dhe mori titullin docent.

Berisha në vitin 1982/83 kishte nisur specializimin në Shkollën e Lartë të Artit në Berlin.

Ndërsa në vitin 1987 u bë udhëheqës artistik-dirigjent i Orkestrës Simfonike të Prishtinës (RTP).