Pse Pendarovski takoi Kurtin pak para emërimit të kryeministrit të parë shqiptar në Maqedoni të Veriut?

Në vigjilje të zgjedhjes së kryeministrit të parë shqiptar në krye të Maqedonisë të Veriut, një varg ngjarjesh janë lidhur në qarkun politik duke formuar pika dhe pikëpyetje të reja për të ardhmen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale që pritet të mbahen atje në pranverë. Veç tri ditë para se në Maqedoni të Veriut në krye të shtetit të dal Talat Xhaferi, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski zhvilloi një takim të heshtur në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Pazakonshëm, asnjë fjalë nuk u tha për media as para e as mbas takimit të Pendarovskit me Kurtin e as me presidenten Osmani, se cilat ishin synimet e një vizite të tillë pikërisht në këtë momentum kur kryetari i parë shqiptar i parlamentit Talat Xhaferi, pritet tashmë të emërohet kryeministër i qeverisë teknike.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski gjatë takimit në Prishtinë më 26 janar 2024. Foto: Zyra e Kryeministrit.

Prej verës së kaluar, kreu kosovar Albin Kurti ishte parë si “kërcënim” për partitë politike në Maqedoni të Veriut, ani pse në takimin e krerëve të Ballkanit Perëndimor në Shkup më 22 janar, Kurti deklaroi që Lëvizja Vetëvendosje “nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet atje dhe nuk ka të regjistruar parti”, krahas asaj që mbështet partitë shqiptare opozitare atje. Njohësit e politikës nga Kosova e Maqedonia e Veriut, të ndarë në botëkuptime, ca mendojnë që vizita e Pendarovskit ka të bëjë me “fitimin e popullaritetit” në krah të Kurtit që të fitojë edhe një mandat në zgjedhjet të 8 majit, ca besojnë që ka të bëjë me bindjen për rrugën euro-atlantike të rajonit.

Hiç më shumë se pesë muaj më parë, Pendarovski kërkoi sanksionimin e drejtuesve të komunës së Çairit dhe Tetovës për ato siç kishte cilësuar “provokime nacionaliste që propozojnë ide shoviniste të shteteve të mëdha” për tubimet e përmasave madhore gjatë vizitës së Albin Kurtit në këto komuna më shumicë shqiptare. Mandat “në krah të popullaritetit”?Për Visar Ademin, analistin nga Maqedonia e Veriut, shqiptarët e vendit të tij e duan Albin Kurtin dhe se rrjedhimisht ekziston një frikë nga partitë politike që pëlqyeshmëria e tij ka gjasa të përkthehet me hapjen e Vetëvendosjes në Maqedoni të Veriut dhe rrjedhimisht humbje të votuesve të tyre. Megjithatë, për Ademin, pëlqyeshmëria që ka figura e Kurtit tek shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, ka gjasa të jetë një ndër arsyet se pse Pendarovski vizitoi Prishtinën pak ditë para emërimit së Xhaferit, e pak ditë pas takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Shkup.

“Patjetër që është kjo [zgjedhjet e 8 majit]. E para është që presidentit meqenëse se i erdhi fundi, e sheh Albinin si një mënyrë për ta përkrahur atë, që shqiptarët ta përkrahin atë edhe për një mandat të dytë”- u shpreh Ademi për KALLXO.com. Ademi vlerëson që “delirëhshmëria e vogël e Albin Kurtit me oligarkët”, siç e përshkruan ai, luftën kundër korrupsionit dhe luftën patriotike për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit e ka bërë atë shumë popullor tek shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.Ai beson që presidenti Pendarovski mund të shfrytëzojë këtë takim në Prishtinë për të tërhequr vota në kutinë e votimeve që të zgjas presidencën e tij.

Në këtë kontekst, duke gjykuar nga pulsi publik Albin Kurtin edhe pse nuk është lider i Maqedonisë së Veriut, analisti nga Maqedonia e Veriut, Sefer Tahiri thotë se ai gëzon më shumë popullaritet se të gjithë liderët e partive politike të shqiptarëve së bashku, duke e lidhur me këtë edhe vizitën e Pendarovskit në Prishtinë. “Vizita është tentim për të bindur opinionin publik shqiptar se presidenti ka raporte të mira me Kosovën, në veçanti me dy drejtuesit e saj kryesor, fakt ky që reflektohet në procesin zgjedhor në vend, pasi presidenti aktual do të jetë kandidat sërish i pushtetit për pozitën drejtuese të shtetit” – tha analisti Tahiri për KALLXO.com.

Por krejt ndryshe mendon ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoni të Veriut, Ylber Hysa. Sipas tij, po të kishte ndikim Albin Kurti në elektoratin e Maqedonisë së Veriut, nuk do hezitonte që të formonte degë të partisë së tij atje.Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, tri partitë shqiptare opozitare, Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike në Maqedoninë e Veriut, të cilat u mbështeten nga kryeministri Kurti paralajmëruan listë të përbashkët zgjedhore për zgjedhjet e majit. “Nuk është pesha e Albin Kurti aq e madhe, por është momenti. Dhe ky moment thotë që nëse shqiptarët ngrehin një kandidat të tyre, do të thotë shpërndarje e votave. Pendarovski njihet si dikush i cili e josh votën shqiptare dhe këtë e ka bërë më herët” – tha Hysa për KALLXO.com.

Vizitë për qëllime euro-atlantike në prag ndryshimeve në vend Edhe pse për ish-diplomatin Hysa, Çairi ku u mbajtë tubimi i Albin Kurtit në gusht të vitit të kaluar është i njëjti Çair në të cilin ka jetuar presidenti maqedonas Pendarovski.Por Hysa thotë se pavarësisht momentumit, vizita e tij ka qëllime tjera, duke e ndërlidhur me rrugën euro-atlantike të rajonit.

“Prishtina ka qenë problematike, konkretisht Albin Kurti i cili ka treguar drejtpërdrejt implikim dhe anim në skenën politike kah opozita dhe kjo është pa si problematike nga pjesa e komunitetit euro-atlantik. Këtë mund të shohim në takimin e liderëve në Shkup” – tha ai, duke përmendur që nëse nuk do të ishte çështja euro-atlantike, Pendarovski do kishte mundur të vizitojë Tiranën. Sipas tij, Pendarovski njihet si politikan që është rritur me shqiptarë në Çair, se ka mbajtur një qëndrim i cili është vlerësuar nga komuniteti euro-atlantik dhe si i tillë ka mjaftueshëm përkrahje në Maqedoni të Veriut. “Ardhja e tij në Prishtinë është vetëm pjesë e përpjekjes për ta konfirmuar një pozicion të tillë, të shohim nëse kjo do të jetë e qartë për Prishtinën. Por nuk është hera e parë që kjo qeveri mban qëndrime që nuk janë koherente me komunitetin euro-atlantik për rajonin” – thotë ai.

Një nga tri arsyet e shprehura nga analisti Visar Ademi, përveç ideologjive të përbashkëta majtiste, mund të jetë edhe një lehtësim i rrugës euro-atlantike që mos të ngecin vendet e Ballkanit Perëndimor për t’u integruar në BE. “Ndoshta ka kërkuar presidenti Pendarovski ose edhe kryeministri Kurti pas takimit me BE-në dhe ShBA-në në Shkup që të shihet mundësia e izolimit të partive nacionaliste në Maqedoni të Veriut, VMRO dhe Levica [opozita maqedonase] që e pengojnë integrimin jo vetëm të Maqedonisë së Veriut në BE, por të gjithë rajonit” – tha ai. Sipas tij, në një skenar tjetër Maqedonia e Veriut, ka gjasa të futet në një proces ngecje të integrimit të vendeve të Ballkanit në BE, që pastaj mund të krijoj precedente të rrezikshme si kriza dhe interferenca të politikave me ndikime nga Kina dhe Rusia.