Kryeministri Edi Rama, në takimin e zhvilluar për “Autonominë Menaxheriale për spitalet rajonale”, u ka bërë një tjetër premtim mjekeve, sa i përket rritjes së pagave.
Gjatë fjalës se tij, ai u shpreh se edhe pse mjekët tashmë janë më të mirë paguar, “qeveria nuk e ka fjetur mendjen”, por do bëjnë çmos që të ardhurat e tyre të rriten.
Ndër të tjera, Rama u shpreh se synohet rritja dhe zgjerimi i mundësive për të ardhura legjitime komplementare që vijnë nga aktiviteti i brendshëm i spitaleve, dhe aktiviteti i vete mjekëve, përveç asaj normës që e bëjnë të gjithë.
Rama: Nga ana tjetër, unë jam i bindur që me këtë dije dhe me këtë eksperiencë dhe me investime të tjera edhe sektorin privat shëndetësor, ne do të bëjmë të mundur që të kemi mundësi që dhe shërbimin shëndetësor ta bëjmë pjesë të industrisë sonë turistike. Këto gjëra i kemi pasur në vizionin tonë qysh në krye të herës, i kemi ëndërruar qysh në krye të herës, por patjetër që kur i kemi thënë më parë, shumëkujt i jemi dukur edhe jo pa faj, sikur po tallemi, sikur po gënjejmë, sikur po bëjmë atë që bëjnë rëndomë shumë politikanë kur duan të marrin ndonjë votë. Ndërkohë që historia jonë është ndryshe dhe rruga jonë është ndryshe.
Ne jemi këtu për të bërë njëqindfishin për të merituar besimin e njerëzve dhe besimin tuaj dhe do të bëjmë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë pa asnjë diskutim dhe pa asnjë lëkundje, kështu që nëse sot mjekët janë më në fund të mirë paguar, krahasimisht me ku ishin, unë do t’iu them mjekëve që s’keni parë gjë akoma, as në aspektin e pagave. Nuk jemi ne absolutisht të lumtur dhe absolutisht nuk e kemi fjetur mendjen që këto tani janë pagat e mjekëve, tani hajde se flasim nga viti 2040. Jo!
Ne do bëjmë çmos që të ardhurat e mjekëve dhe të infermierëve dhe të gjithë shërbëtorëve të shëndetit publik të vijnë duke u rritur. Natyrisht, njëra anë është rritja e pagave, por ana tjetër është kjo për të cilën po flasim. Rritja, zgjerimi i mundësive për të ardhura legjitime komplementare që vijnë nga aktiviteti i brendshëm i spitaleve dhe që vijnë nga aktiviteti i vetë mjekëve përtej asaj normës të cilën e bëjnë të gjithë mjekët pa përjashtim, por mbi të cilën cilido prej mjekëve mund të ngrihet dhe patjetër vlerësimi i publikut që zgjedh se tek të cilët mjek dëshiron të besojë shëndetin e vetë.
Shumë faleminderit dhe qoftë një vit i mbarë!
Jam i bindur që në fund të këtij viti spitalet që do të marrin sot kartën e autonomisë menaxheriale do të kenë shumë gjëra për të thënë dhe do të kenë shumë më tepër arsye tek fuqia që do të fitojnë në këtë kthesë të re dhe në këtë hap të ri të rëndësishëm të reformimit të shërbimit shëndetësor.