Vetëm tre vota kundër, Talat Xhaferi u zgjodh kryeministër i ri i Maqedonisë së Veriut me 65 vota

Talat Xhaferi është zgjedhur kryeministër i Qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut, duke u bërë shqiptari i parë që do të mbajë këtë post në këtë shtet.

Për zgjedhjen e ekzekutivit, që ka mandat prej 100 ditësh, votuan 65 deputetë, 3 ishin kundër dhe asnjë abstenim.

Qeveria teknike e Xhaferit ka mandat organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare të caktuara për 8 maj.

Gjatë debatit parlamentar më herët gjatë 28 janarit, prezantoi programin e punës së Qeverisë, e cila do të ketë mandat prej 100 ditësh, për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare të caktuara për 8 maj.

Xhaferi tha se pa marrë parasysh se sa gjatë do të jetë në krye të Qeverisë, ai do të bëjë gjithçka për të përmbushur detyrimet, në përputhje me Kushtetutën dhe pritjet e qytetarëve.

“Prioritet i parë do të jetë organizimi i zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në mënyrë të rregullt dhe demokratike. Për mua si mandatar, pa marrë parasysh nëse do ta drejtoj këtë Qeveri një ditë apo 100 ditë, unë këtë detyrë, këtë përgjegjësi dhe besimin e dhënë do ta kryej me përgjegjësi, ashtu siç kam vepruar edhe me sfidat tjera që ishin para meje. Për asnjë moment nuk do të lëshoj pe nga ajo që nënkupton Qeveri efikase, funksionale dhe përgjegjëse. Unë dhe Qeveria do të vazhdojmë të punojmë për realizimin me sukses dhe efikasitet të plotë të politikave të qeverisë”, tha Xhaferi.