VDES 31-VJEÇARJA TEK “SPITALI AMERIKAN” GJATË NDËRHYRJES ESTETIKE, E OPERUAN EDHE PSE KUROHEJ NGA KANCERI

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Spitalin Amerikan pasi një 31-vjeçare ka ndërruar jetë pas një ndërhyrje kirurgjikale.

E reja iu nënshtrua një procedure estetike të liposucionit ditën e hënë, ndërsa të martën pësoi trompozë dhe ndërroi jetë.

Aktualisht trupi i të resë ndodhet në morg ku po i bëhet autopsia, ndërsa familja ka kallëzuar rastin në komisariatin nr. 4 për mjekim të pakujdesshëm

Sipas familjarëve, 31-vjeçarja Irida Hasalla vuante dhe nga tumori në mitër për të cilin kurohej në Belgjikë por mjekët e Spitalit Amerikan i thanë që kjo ndërhyrje nuk do të ndikonte në gjendjen e saj.

Pas operacionit, motra e qytetarit ka kaluar në vdekje klinike dhe pak orë më vonë ka ndërruar jetë. Sipas qytetarit, i cili denoncoi rastin që në mesditë, mjekët ishin në dijeni të kartelës së motrës, por kjo nuk i ka shqetësuar aspak.

Vëllai i të resë, Arenc Hasalla, ia vë fajin mjekes që e kreu këtë operim pa firmën e prindërve.

“Këtu vinë njerëzit për t`u shëruar apo për të vdekur se nuk e marr vesh ? Motra vjen për t`u shëruar dhe vdes, paguan dhe 2000 euro dhe vdes. Motra u shtrua dhe bëri një operacion që nuk lejohej të bëhej pasi kurohej në Belgjikë për kancerin.

Ajo e kreu operacionin për heqje peshe, po nuk i lejohej të operohej dhe mjekja e ka bërë operacionin me dëshirën e motrës time, por pa firmën e prindërve të mi. Iu bënë analizat dhe mjekja ishte në dijeni për çdo gjë. Kërkoj që të vihet para drejtësisë mjekja, se është jetë njeriu, nuk është pulë. E di çfarë do të thotë të humbësh një motër,” ka thënë ai.
NJOFTIMI I POLICISË:

Ditën e djeshme, më datë 30.01.2024, është marrë njoftim se në një spital privat, pas një operacioni, ka ndërruar jetë shtetasja I. H., 28 vjeçe, banuese në Tiranë.

Pas marrjes së njoftimit, në drejtimin e Prokurorisë, është ngritur grupi hetimor dhe janë kryer veprimet e para procedurale si autopsia, marrja në pyetje e familjarëve, marrja në pyetje e mjekëve dhe anestezistit që kanë marrë pjesë në operacion.

Materialet do ti kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.