E ftuar këtë të martë në emisionin “Aldo Morning Show”, në Tv Klan, ka qenë juristja, Eni Çobani, e cila ka folur për Kodin Penal dhe atë të Familjes. Ajo u shpreh se për këtë të fundit ka një paragraf ku thuhet se lejohet martesa nën 18 vjeç në raste të veçanta.
Sipas saj, kjo gjë duhet të rregullohet, pasi sot kemi martesa të shumta të të miturve. Për këtë gjë, Çobani bën përgjegjës prindërit.
Eni Çobani: Ligji thotë: Martesa ligjore është mbi moshën 18 vjeç. Por, unë tani në vëmendje të kolegëve të cilët po merren me këtë projekt, dua t’ju vë në dukje diçka: po rregullojnë Kodin Penal, po me Kodin e Familjes çfarë do bëjmë? Sepse në nenin shtatë të nderuar, se këto janë kleçkat e drejtësisë, për të cilat duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Në paragrafin e parë thuhet: Martesat ligjore në Republikën e Shqipërisë është mbi moshën 18 vjeç. Çfarë vazhdon në paragrafin e dytë të po këtij neni? Thuhet një gjë tjetër, pikërisht që lejohet martesa dhe poshtë kësaj moshe, në raste të veçanta. Atëherë këtu abuzohet. Po, këtu abuzohet!
Rast i veçantë është për shembull, një shtatzëni në moshën 16-vjeçare. Shkon përpara gjykatës, gjykatës i çohet fakti, normalisht, një eko ose diçka që zonja ka ngelur shtatzënë gjatë kësaj marrëdhënie, dhe ta njeh gjykata. Pra, nuk ta regjistron Gjendja Civile, se Gjendja Civile e Republikës së Shqipërisë sigurisht që do prodhojë dokument në bazë të ligjit mbi moshën 18 vjeç, por…
Aldo: Kjo është mirë, mirë, por s’e ke mirë.
Eni Çobani: Pikërisht! Sot kemi martesa në këtë moshë të shumta, të cilat nga rrjedhin i dashur? Nga prindërit. Tani duhet t’i themi gjërat ashtu siç janë. Pra, vajza apo djali që shkon drejt një lidhjeje të tillë, ligjore ose jo ligjore, a i dinë prindërit? A vihen në dijeni prindërit? Çfarë ka pasur Kodi i vjetër, ai që ne anatemojmë dhe është i kohës së diktaturë e të gjitha. Në nenin 189 ka qenë e sanksionuar me ligj fejesat e të miturve. Dënoheshin të gjithë ata persona që lejonin lidhje të tilla, poshtë moshës ligjore.
Aldo: Po thua para ’90-s?
Eni Çobani: Para ’90-s. Po, patjetër! Dhe, bashkëjetesa e ndaluar…
Aldo: E kemi hequr ne?
Eni Çobani: Po, e kemi hequr dhe kemi pasur edhe bashkëjetesën e ndaluar. Të dyja këto nene janë hequr. Dëgjo, ne bëmë një ligj të ri dhe e përmirësuam, patjetër, sepse çdo periudhë kërkon t’i përgjigjet rritjes sociale aktuale të shoqërisë. Po ne sot, në 2024-ën, po diskutojmë ende gjëra të cilat kanë ndodhur 100 vjet përpara. Pra, e kuptoni se sa mbrapa jemi kthyer?
Ky është vakumi. Kodi i Familjes, neni 7, po e vë dhe njëherë në dukje për të gjithë kolegët, keni paragrafin e dytë. Duhet rregulluar paragrafi i dytë! Nuk mund të lejohet poshtë moshës ligjore, se vajza ngelet shtatzënë, jo! Atëherë hajde dënojmë prindërit, që kanë lejuar një marrëdhënie të tillë. Se tani i jemi veshur burrave dhe grave, po familja ku është? Po prindërit ku janë? /tvklan.al