Çfarë është trendi ‘anti-dasmë’ që po bëhet viral në TikTok?

Planifikimi i një martese nuk është një mision i lehtë për të gjithë. Mes rezervimit të vendit, listës së të ftuarve, menusë, zgjedhjes së fustanit për nusen dhe kostumit për dhëndrin, menaxhimi i pritshmërive bën që shumë çifte të ndihen të mbingarkuar emocionalisht jo vetëm në ditën e tyre të madhe të dasmës, por edhe disa javë përpara.

Trendi i fundit “anti-dasmë” në TikTok synon ta ndryshojë këtë gjë. Shumë nuse të ardhshme po i bashkohen kësaj qasjeje, që inkurajon çiftet të heqin dorë nga presioni i traditave në organizimin e dasmës dhe ta kthejnë këtë në një eksperiencë thjesht personale.

Në fakt, shumë nuse moderne po zgjedhin dasma minimaliste, ndërsa disa të tjera zgjedhin madhështinë, kjo në varësi të kushteve, financave etj. Në fillim të janarit, ishte një përdoruese e TikTok @knaakwell që postoi një video në lidhje me vendimin për të hequr dorë nga ceremonia e dasmës, duke përmendur ankthin dhe shpenzimet si dy faktorët kryesorë në zgjedhjen e saj.

Videoja e saj mblodhi mbi gjysmë milionë shikime, ndërsa plot komentues të tjerë dhanë arsyet e tyre për t’iu shmangur dasmave tradicionale.

Çfarë është ky trend?

Në TikTok, termi “anti-dasmë” ka pothuajse 96 milionë shikime dhe hashtagu #antibride ka mbi 45 milionë të tilla. Sipas raportit të tendencave të dasmave të Pinterest x Zola 2023, kërkimet për këtë trend u rritën me 490% vitin e kaluar.

Shumë çifte i janë bashkuar kësaj prireje në rrugën e tyre për të kurorëzuar dashurinë, pa fatura të majme, tradita dhe shumë njerëz të ftuar, por më shumë emocione personale. Është ideja për të bërë çfarë të duash, edhe nëse nuk ka kuptim për askënd tjetër.

Çiftet po zgjedhin më shumë detaje jokonvencionale, duke përfshirë vendet, veshjet dhe buqetat. Sipas një planifikueseje dasmash, Amy Shack Egan trendi pasqyron dëshirën e nuseve moderne për të zhvendosur pritshmëritë shoqërore rreth dasmave dhe martesës drejt një modeli të ri. “Në një botë ku ne kemi bërë kaq shumë presion, veçanërisht mbi gratë, për të gjetur partnerin e duhur dhe për t’u martuar…Më duket shumë e bukur të shoh plot gra që thonë: “Do bëj atë që dua unë, edhe kur bëhet fjalë për dasmën’, thotë ajo.

Shumë çifte po largohen nga traditat tipike të dasmave dhe po fokusohen në përshtatjen e mënyrës së të festuarit sipas personalitetit, kulturës dhe vlerave të tyre.