Pas debatit me bashkëshortin, një tjetër grua i jep fund jetës me fotoksinë

Një tjetër ngjarje e rëndë është shënuar në qytetin e Beratit, ku një 41-vjeçare i ka dhënë fund jetës duke pirë fotoksinë.

Viktima e identifikuar si Shpresa Krëku, bëhet me dije se ka pasur një debat me bashkëshortin e saj që jeton në Greqi dhe pas atij momenti 41-vjeçarja ka marrë vendimin që i rezultoi fatal për jetën.

Përpara se të kryente aktin ekstrem, Krëku ka telefonuar vëllain e saj, të cilit i ka thënë: “Nuk mundem më, amanet fëmijët”. Menjëherë më pas vëllai është nisur për në shtëpinë e gruas, në fshatin Bilçë të Beratit, ku e ka gjetur në gjendje kritike për jetën. Ai e ka dërguar fillimisht në Spitalin Rajonal të Beratit, e më pas është nisur drejt Spitalit të Traumës në Kryeqytet.

Siç dihet tashmë pas pirje së fotoksinës, jeta është drejt fundit dhe nuk ka kthim pas, ashtu rezultoi edhe për 41-vjeçaren, e cila 15 minuta pas mbërritjes në Tiranë ka ndërruar jetë.

Shpresa Krëku ishte nënë e dy fëmijëve. Shkaku që çoi në vetëhelmimin e saj ende nuk dihet, por pritet edhe deklarata e bashkëshortit, i cili prej një viti jetonte dhe punonte në Selanik të Greqisë, po ashtu dhe deklarata e familjarëve.