Studimi thotë se paraja të bën të lumtur

Një studim i ri thotë se shifrat kanë rëndësi për sa i përket gjendjes shpirtërore, sidomos kur bëhet fjalë për para.

Megjithëse të shumtë janë ata që thonë se “kur s’ke para, s’ke as probleme”, studiuesit kanë arritur në konkluzionin se paraja të bën të lumtur.

Daniel Kahneman dhe Matthew Killingsworth, nga Universiteti Princeton dhe Universiteti i Pensilvanisë kishin arritur në konkluzionin se pas 75 mijë dollarvëe, paraja nuk ka më ndikim në lumturinë e një personi. Por ky studim ishte kryer në vitin 2010.

Tashmë dy profesorët i janë rikthyer edhe njëherë studimit të tyre, duke dalë me përfundime që bien ndesh me atë çka zbuluan një dekadë më parë.

Ata intervistuan 33,000 amerikanë, me pagën më të ulët duke filluar nga 10,000 dollarë në vit.

Këta pjesëmarrës u ndoqën përmes një aplikacioni në telefonin e tyre që i pyeste në momente të ndryshme të ditës se si ndiheshin.

Studiuesit i krahasuan këto ndjenja me të ardhurat e personit për të dalë me të dhënat e tyre.

Ata zbuluan se personat me një pagë deri në 500,000 dollarë në vit kishin ndjenja të përgjithshme lumturie.

“Me fjalët më të thjeshta, kjo sugjeron që për shumicën e njerëzve të ardhurat më të mëdha shoqërohen me lumturi më të madhe. Përjashtim bëjnë njerëzit që janë financiarisht të pasur, por të pakënaqur”, u shpreh një prej autorëve të studimit.

Ai tha: “Për shembull, nëse je i pasur dhe i mjerë, më shumë para nuk do të ndihmojnë. Për të gjithë të tjerët, më shumë para shoqërohen me lumturi më të lartë në shkallë disi të ndryshme”.

“Paraja është vetëm një nga shumë përcaktuesit e lumturisë. Paraja nuk është sekreti i lumturisë, por ndoshta mund të ndihmojë pak”, deklaroi Killingsworth.

Vlen të përmendet se mbledhja e të dhënave të tyre duket se mbështetet në korrelacion dhe jo në shkak.