Flet krushku i familjes Meta: Vajza nuk mbyt dot një pulë, jo të vrasë një njeri!

Policia dyshon se ka bashkëpunim mes familjarëve për vrasjen e 50-vjeçarit, Pëllumb Meta në Durrës.

Një ngjarje kjo që tronditi mbarë opinionin publik. Lidhur me këtë ngjarje është arrestuar vajza e viktimës, 19-vjeçarja Hygerta Meta, si e dyshuara kryesore e vrasjes.

Por pas hetimeve të vazhdueshme, në dritë po dalin detaje të reja. Ndryshe nga çfarë ka dëshmuar 19-vjeçarja në polici se krimin e ka kryer e vetme, policia dyshon se ka persona të tjerë të përfshirë dhe për këtë hetimet janë ende në vijim.

Nga ana tjetër edhe të afërm të familjes bëjnë të ditur se viktima dhe vajza e tij ishin njerëz model dhe nuk arrijnë ende ta besojnë këtë krim makabër që ka ndodhur në familjen Meta.

Krushku i familjes Meta, ka treguar se vajza e madhe e viktimës është martuar me djalin e tij. duke folur për ngjarjen e rende, ai ka thënë se 19-vjeçarja e cila akuzohet për vrasjen e babait, “nuk mund të vriste dot një pulë dhe jo më babain e saj.”

“Ne e njohim për një familje shumë të mirë. Për zhdukjen ka rreth dy javë që na kanë thënë. Na thanë që nuk është në shtëpi dhe ka humbur, por më vonë kemi marrë vesh që është gjetur makina diku tek parku Rinia dhe sot na njoftuan që është gjetur. Nuk dua të futem në këto çështje sepse ato janë çështje familjare, personale. Por ajo vajza di të them që nuk mbyt dot një pulë dhe jo më një njeri”, ka thënë ai.

/abcnews.al/