“Nuk pendohem që e vrava, na ka nxirë jetën”, dëshmia rrëqethëse e 19-vjeçares, ekzekutoi të atin pasi donte ta fejonte pa dëshirë

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga dëshmia e 19-vjeçares Hygerta Meta, e cila vrau të atin Pëllumb Meta dhe më pas e groposi në kasollen e bagëtive,

Sipas gazetares së Top Channel, Dorjana Bezat, gjatë dëshmisë ajo tha se e ka kryer me gjakftohtësi krimin, pas një urrejtje të mbledhur prej kohësh.

“Jam e lumtur që e kreva unë këtë punë dhe nuk pendohem që kam vrarë tim atë. Ai na ka torturuar dhe i ka nxirë jetën nënës sime. Unë jam fëmija i vogël i familjes. Motra është më e madhja është e martuar, janë 2 vëllezërit dhe pastaj unë.

Mami dhe ne nuk kemi folur kurrë në familje. Për gjithçka fliste dhe vendoste babai. Ai nuk na pyeste kurrë çfare dëshironim. Kur mori vendimin për martesën time aty erdhi fundi.

Nuk dëgjoi çfarë unë doja. M’u mblodh një urrejtje për një kohë të gjatë. Ditën e ngjarjes nuk u konfliktuam fare. Mora armën që babi përdorte kur shkonte në punë si roje dhe e qëllova brenda kasolles së bagëtive.

Pas krimit e kam mbështjellë me një çarcaf pastaj me fasho e në fund me qese. Armën e hodha buzë detit”, tha ajo.
Për ngjarjen janë pyetur dhe e ëma dhe 2 vëllezërit të cilët thonë se krimin e ka kryer 19 vjeçarja dhe se ata nuk kishin dijeni per asgjë.

Sipas informacioneve, policia se beson versionin e saj as për veprimin e vetme dhe as për armën që e ka hedhur në det.
Por vrasjen e ka kryer ajo sepse i janë gjetur faktor plotësues në duar. Ndërsa pjestarëve të tjerë të familjes jo, çka nënkupton se qitjen e ka bërë vajza. Në trupin e viktimës janë gjetur 4 plumba dhe vetë autorja thotë se e ka qëlluar 4 herë.
Top Channel