Studimi: Të rinjtë po përdorin gjithnjë e më tepër ilaçe kundër depresionit!

Shumë të rinj kanë raportuar se kanë shëndet të dobët mendor gjatë dhe pas pandemisë Covid-19. Përvojat e tyre konfirmohen nga një studim i ri që zbuloi se të rinjtë kanë përdorur më shumë depresantë gjatë kësaj periudhe. Numri i të rinjve midis moshës 12 dhe 25 vjeç që merrnin ilaçe kundër depresionit ishte në rritje përpara pandemisë. Por që nga shpërthimi i Covid-19 në Shtetet e Bashkuara në Mars 2020, shkalla e shpërndarjes u rrit gati 64% më shpejt se normalja, sipas studimit të botuar të hënën në revistën Pediatrics. (Shpërndarja, në kontekstin e këtij studimi, i referohet ilaçeve kundër depresionit që u jepen pacientëve nga farmacitë me pakicë ose porosi me postë)

“Dallimet sipas seksit janë gjëja që më ka rënë më shumë në sy,” tha autori i studimit, Kao-Ping Chua, për gjetjet.

Në adoleshentët femra të moshës 12 deri në 17 vjeç, shkalla e shpërndarjes u rrit 130% më shpejt pas marsit 2020, tha Chua. Për femrat e reja të moshës 18 deri në 25 vjeç, norma u rrit me 60%. Disa studime të mëparshme vlerësuan ndryshimet në shkallën e shpërndarjes pas pandemisë në nivel kombëtar, por studimi i ri është i pari specifik për adoleshentët dhe të rinjtë dhe për të analizuar të dhënat përtej vitit 2020.

“E gjeta veten, gjatë pandemisë, duke përshkruar ilaçet kundër depresionit me ritme që nuk i kisha pasur kurrë më parë. Unë nuk mund t’ju them se sa shumë pediatër më kanë thënë se ndihen sikur janë mjekë të shëndetit mendor në këtë pikë”, tha Chua, i cili vendosi të kryejë hulumtimin për të ndihmuar në lidhje me krizën e shëndetit mendor të të rinjve.

Nga viti 2016 deri në vitin 2022, Chua dhe bashkautorët e tij zbuluan se shkalla e shpërndarjes mujore u rrit me 66.3%, një prirje që u rrit gjatë dhe pas pandemisë, duke përdorur bazën e të dhënave të recetave gjatësore IQVIA. Baza e të dhënave IQVIA është një bazë të dhënash afatgjatë për recetat e pacientëve bazuar në të dhënat e farmacive me pakicë.

“Në vitin e dytë të pandemisë, vizitat për shëndet të dobët mendor tek të rinjtë u rritën dhe ne pamë një rritje të vizitave për tentativa vetëvrasjeje ose vetëlëndimi veçanërisht midis adoleshenteve femra,” tha Neha Chaudhary, që nuk ishte e përfshirë në studim.

Autorët nuk mund të shpjegojnë plotësisht gjetjet. Por në kontekstin e përkeqësimit të shëndetit mendor midis të rinjve, vënë re një rritje të ngjashme në normat e recetave kundër depresionit. Për më tepër, rritja e ndërgjegjësimit për shëndetin mendor, ka bërë që më shumë të rinj të kërkojnë ndihmë, si dhe ekspozimin ndaj ngjarjeve negative aktuale, shtoi ajo.

Faktorët që mund të kenë ndikuar, janë: humbja e njerëzve të dashur, kalimi në të mësuarit virtual dhe mungesa e jetës sociale, duke shtuar përdorimin e antidepresantëve. Në kohë normale, për pacientët me depresion të butë ose të moderuar, ofruesit shpesh rekomandojnë një provë të terapisë pa mjekim, tha Chua. Por gjatë pandemisë, kërkesa e paprecedentë për terapi virtuale rezultoi në pritje të gjata, duke e bërë rekomandimin vetëm për terapinë më pak të realizueshëm. Si rezultat, pati një tendencë në rritje që ofruesit të përshkruanin ilaçet kundër depresionit, pasi pacientët nuk mund të fillonin shpejt terapinë.

Ekspertët dekurajuan stigmatizimin e nevojës ose përdorimit të medikamenteve. Përdorimi i antidepresantëve është i zakonshëm, tha Chua, dhe nuk duhet të ndiheni të çuditshëm për marrjen e tyre nëse keni nevojë për to.

“Këto medikamente janë jashtëzakonisht efektive në shumë raste. Ato i lejojnë njerëzit të ndihen pak më normal dhe t’i rezistojnë ngritjeve dhe uljeve të jetës. Cilësia e jetës së njerëzve, disponimi i tyre dhe shkalla e vetëdëmtimit përmirësohet shumë.”

Në disa raste, ilaçet kundër depresionit madje mund të shpëtojnë jetë, tha Chaudhary. Megjithatë, ka shqetësime të kuptueshme në lidhje me ilaçet kundër depresionit. Por duke pasur parasysh rreziqet, prindërit duhet të jenë vërtet të gatshëm të kenë një diskutim të sinqertë në lidhje me të mirat dhe të këqijat e ilaçeve kundër depresionit kur fëmijët e tyre kanë shqetësime të shëndetit mendor. Ndryshimet drastike në sjelljen ose humorin e fëmijëve, të tilla si gjumi i tyre, jeta shoqërore,

qëndrimi, performanca në shkollë, aftësia për t’u përqendruar ose interesi në aktivitete mund të sinjalizojnë nevojën për antidepresivë, por një psikiatër pediatër mund të rekomandojë planin më të mirë të trajtimit dhe t’i përgjigjet çdo pyetje rreth medikamenteve, thanë ekspertët./M.K-dritare.net