A ishte data 1 Mars afati i fundit për fejesën e detyruar të Hygertës?

Fejesë me detyrim për të bijën 19 vjeçare. Ky ishte motivi fillestar që 3 të rinjtë deklaruan në polici, për vrasjen e babait të tyre Pëllumb Meta. Madje bashkëshortja e të ndjerit, Blerina përmendte datën 1 Mars si një afat për t’i kthyer përgjigjie pozitive familjes me të cilën 50 vjeçari donte të lidhte krushqi.

Gazetari Spartak Koka e pyeti pikërisht për këtë detaj drejtorin e Policisë Durrës Skënder Hita sonte në “Opinion”. Ky i fundit u përgjigj se ky afat rezulton i pavërtetë dhe se është alibi e familjarëve.

Spartak Koka: A ka patur një afat limit se nëna e fëmijëve tha se ka pasur një afat limit për kthimin e përgjigjies për fejesën e detyruar. Në hetimet tuaja rezulton një datë 1 Mars për kthim përgjigjie?

Skënder Hita: E gjithë familja e përfshirë në këtë krim ka pasur gjithë mundësinë e mundshme të përdorë alibi dhe të fshehë këtë krim për kaq ditë. Kjo mendoj është pjesë e alibisë, dhe jo një ultimatum fiks që ne patjetër në 1 Mars duhet të kthejmë përgjigjien pozitive për këtë mblesëri.

Spartak Koka: Nga ana e familjes tjetër, ata që kërkonin dorën e vajzës është pranuar kjo data 1 Mars?

Skënder Hita: Ata janë pyetur në cilësinë e personave që tregojnë rrethanat e hetimit, për të gjithë dinamikën si është zhvilluar, por në asnjë moment s’ka dalë kjo datë.

Spartak Koka: E kanë marrë përgjigjien refuzuese ata?

Skënder Hita: E kanë marrë. Por, vajza në deklarimet e saj thoshte që babai i saj insistonte për këtë fejesë.

Spartak Koka: Sepse duke bërë këtë pyetje zoti Fevziu mund të ngremë një hipotezë tjetër që siç e ka thënë Hysen Meta, po citoj këtu “me babain kishte konflikte të shumta pasi ai e fyente gjithmonë pasi ai për momentin ishte papunë, herë pas here fyente dhe të ëmën e të motrën. Atëherë i bie që mund të kemi një rast që konflikti ka qenë mes djalit dhe babait dhe janë solidarizuar vëllai tjetër e motra, apo dhe nëna./tvklan.al