Vritet me thikë 19-vjeçari në Fier/ Policia: Konflikti për motive të dobëta

19-vjeçari me iniciale G.B. ka mbetur viktimë si pasojë e një goditje me thikë në bulevardin “Jakov Xoxa” të Fierit paraditen e sotme. Policia njofton se autori i dyshuar i ngjarjes është 18-vjeçari me iniciale F.M.

Gjithashtu, një 20-vjeçar ka mbetur i lënduar pasi në momentin që ka ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit, është dëmtuar. I riu ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Policisë kanë kapur dhe shoqëruar në Polici autorin e dyshuar 18-vjeçar dhe po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale.

Si nisi dhe agravoi konflikti mes të rinjve?

Në njoftimin zyrtar, policia ka thënë konflikti mes të rinjve ka ndodhur për motive të dobëta.

Korrespondentja e Klan News, Anila Sefa, ka mësuar se sherri e ka pasur zanafillën nga rrjetet sociale: Autori i dyshuar i ngjarjes i kishte bërë një “like” në “Facebook” të dashurës së viktimës dhe sot kishin lënë takim për t’u sqaruar. Mirëpo, takimi u shoqërua fillimisht me përleshje fizike dhe më pas degradoi deri në përdorimin e thikës.

Dyshohet se ka qenë 18-vjeçari që ka nxjerrë thikën dhe ka goditur të riun, i cili është dërguar me urgjencë në spital, por fatkeqësisht nuk ka mundur të ju rezistojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë në spital.

Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po heton rrethanat e krimit të rëndë që i mori jetën të riut 19-vjeçar.