Policët me 30 vjet shërbim do mbyllin karrierën 55 vjeç. Ja sa pagesë do të marrin deri sa të dalin në pension

Projektligji “Për Policinë e Shtetit”, i publikuar në konsultimet publike nga Ministria e Brendshme, parashikon formatimin e një trupe policore të re, ku policët e moshuar pritet të “largohen” nga radhët e policisë me një trajtim të veçantë financiar.

Sipas draftit, punonjësit e moshës 55-vjeçare, pas 30 viteve të shërbimit, do të përfitojnë trajtim të veçantë për periudhën e mbetur deri në pensionin e plotë të pleqërisë. Kjo skemë synon të garantojë një rinovim të trupës policore, ndërsa kostot e saj do të përballohen nga buxheti i Policisë së Shtetit.

“Është propozuar një skemë e trajtimit të veçantë të shërbimit për t’u dhënë mundësinë punonjësve të policisë të mbyllin karrierën policore pas 30 vitesh shërbimi në moshën 55-vjeçare duke përfituar këtë trajtim financiar për periudhën e mbetur deri në pensionin e plotë të pleqërisë, por gjithashtu pa cenuar edhe të drejtën e dypunësimit sipas legjislacionit në fuqi.

Një aspekt tjetër i trajtimit financiar të propozuar është shpërblimi i menjëhershëm në masën e 6 pagave, kur punonjësi i policisë përfiton trajtim të veçantë për shërbimin e tij ose del në pension të pleqërisë.

Përveç kësaj, propozohet ofrimi i kredisë me interesa të ulëta për strehim për punonjësit e policisë, sigurimit shëndetësor të veçantë dhe kompensimit në rastet e plagosjes dhe dëmtimit të shëndetit të punonjësve të policisë, të cilat janë aspekte të rëndësishme të trajtimit të tyre, sipas relacionit.

Trajtimi i veçantë i shërbimit mund të përfitohet pas kërkesës së punonjësit të policisë dhe miratimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, duke u mbuluar nga buxheti i Policisë së Shtetit.