83 vjeçari jetoi 9 muaj në aeroport, italianët preken dhe i gjejnë shtëpi

Historia e një italiani që kaloi nëntë muaj duke jetuar në një aeroport mund të tingëllojë paksa si komploti i filmit të vitit 2004 The Terminal.

Por ndryshe nga personazhi kryesor i Tom Hanks, i cili ngec në një aeroport për shkak të luftës civile dhe një problemi me pasaportën, 83-vjeçari Arnaldo ngriti kampin në një sallë pritjeje check-in si rezultat i krizës së kostos së jetesës në Itali .

Arnaldo u transferua në aeroportin Marconi në Bolonja korrikun e kaluar kur nuk mund të përballonte më qiranë.

Me origjinë nga Siçilia, një ishull në brigjet jugore të Italisë, Arnaldo kishte jetuar në Bastiglia, një qytet afër Modenës në veri të vendit.

Megjithatë, pensionisti filloi të kishte vështirësi vitin e kaluar, kur pensioni nuk ishte më i mjaftueshëm për të mbuluar qiranë e tij. Një dhomë teke në Bastiglia kushtojnë rreth 400 euro në muaj.

Arnaldo fjeti jashtë për pak kohë, por shpejt moti i keq e detyroi të gjente një vend për t’u strehuar. Ai u shfaq në zonën e kontrollit të aeroportit me një valixhe të vetme.

Arnaldo tha se ai kurrë nuk donte të ishte i bezdisshëm.

Prezenca e tij tërhoqi shumë shpejt vëmendjen e stafit të aeroportit, të cilët nisën t’i sillnin ushqim dhe kafe. Një anëtar i stafit i bleu një thes gjumi dhe punëtorët nga stendina e gazetave të aeroportit i dhanë një gazetë për ta lexuar çdo ditë.

Më pas mediat filluan të raportojnë për situatën e Arnaldos. Autoritetet lokale thanë se nuk ishin në dijeni të kushteve të jetesës së 83-vjeçarit derisa lexuan raportet e mediave.

Këshilltari i Bolonjës për Mirëqenien, Luca Rizzo Nervo tha se i vinte keq që autoritetet mësuan për rastin e Arnaldos në këtë mënyrë.

Bashkia e Bolonjës tani ka ndërhyrë, duke i siguruar Arnaldo akomodimin në hotel ndërsa ata i gjejnë një shtëpi të re.

Kushtet e jetesës së Arnaldos pushtuan zemrat e italianëve.

Arnaldo është një nga shumë italianët që po luftojnë për t’ia dalë mbanë mes çmimeve në rritje.

Instituti Kombëtar i Statistikave të Italisë thotë se një në 12 njerëz në vend jeton në varfëri absolute. Kjo ka shtyrë shumë të dalin në rrugë. Në vitin 2023, të pastrehët në Itali u rritën me 6.8% krahasuar me një vit më parë. Kriza e kostos së jetesës së vendit është një nga më të këqijat në Evropën Perëndimore.

Sipas një sondazhi të YouGov të vitit 2022, 82% e italianëve ishin të pakënaqur me mënyrën se si qeveria e tyre po trajtonte krizën e kostos së jetesës.