Humb jetën një foshnje e lënë në veturën e nxehtë..

Punonjësit e shpëtimit luftuan për jetën e foshnjës për minuta të tëra. Por ishte tepër vonë. Në Roterdam të Holandës, fëmija, i cili me sa duket ishte plotësisht i dehidratuar, vdiq sepse ishte lënë në një veturë me xhama të mbyllur


Sipas raportimeve të mediave holandeze, dëshmitarët zbuluan fëmijën ende gjallë rreth orës 17:00 të hënën në një Audi Q2 me targa belge, që ishte parkuar në një zonë industriale. Foshnja, sipas dëshmitarëve okularë një djalë i vogël, thuhet se ishte ulur i vetëm në ndenjësen e tij të fëmijës në karrigen e pasme të veturës. Asaj pasdite të vonshme, në Roterdam ishte rreth 25 gradë.

“Policia më pas theu xhamin e veturës për të liruar foshnjën, por ata zbuluan se foshnja ishte vërtet në një gjendje shumë shqetësuese. Punëtorët e shpëtimit u alarmuan më pas”, tha një zëdhënës.

Në zonën industriale kanë mbërritur tre autoambulanca dhe një helikopter. „Mjekët e ndihmës mjekësore u përpoqën të ringjallnin foshnjën“, tha policia, transmeton portali Shtegu. Por ata nuk mundën ta kthenin në jetë fëmijën.

Është ende e paqartë se sa kohë fëmija ka qëndruar në të vërtetë në veturë. Por: Pas një ore nën diellin flakërues, brenda veturës do të kishte qenë më shumë se 50 gradë Celsius. “Rrethanat e tragjedisë janë duke u hetuar aktualisht”, tha policia holandeze.

Pak më vonë, oficerët arrestuan një burrë. Ai ishte ende duke u marrë në pyetje të hënën në mbrëmje. Policia e Roterdamit fillimisht nuk ka dashur të thotë se çfarë marrëdhënie ka ai me foshnjën apo nëse ka nënshtetësi belge. Disa media raportojnë se duhet të jetë babai i fëmijës.

Pasi u mor trupi i foshnjës, policia kontrolloi veturën dhe gjeti pako dhe korniza fotografish. Një dëshmitar okular i cili ishte dëshmitar i tragjedisë citohet në mediat holandeze: “Nuk kam përjetuar kurrë diçka të tillë. Një fëmijë kaq i vogël, është vërtet keq”.

/shtegu