Moti javor, kulminacioni i nxehtësisë, rrebeshe lokale shiu afër fundjavës, por mbetet nxehtë!

Karakteristika kryesore e motit gjatë kësaj jave do të jetë nxehtësia në pjesën e parë të javës, kurse në pjesën e dytë të javës do të shtohet edhe instabiliteti atmosferik që vjen duke zbutur sadopak nxehtësinë e madhe dhe duke kushtëzuar stuhi lokale shiu me bubullimë dhe breshër. Përkundër rrebesheve të shiut do të mbetet nxehtë dhe me zagushi të fortë, por vala e nxehtësisë do të “zbutet” dhe në shumë vende do të freskohemi nga rrebeshet e shumëpritura të shiut të cilat faktikisht nuk do të zgjasin shumë dhe nuk do të kapin tërë territorin.

Vende-vende mund të ketë shtrëngata të fuqishme duke filluar nga mesi i javës në viset malore, pastaj afër fundjavës edhe në shumë zona urbane, por reshjet nuk do të arrijnë në shumë vise të Shqipërisë Mesdhetare. Edhe temperaturat do të afektohen më pak në Shqipërinë e zonave të ulëta, por mund të ketë ulje të lehta.

Vala e nxehtësisë do të zgjasë më shumë në Shqipëri, ngase frontet e ftohta vështirë të arrijnë në vendet më të nxehta të Shqipërisë

Pra, në Kosovë dhe në përgjithësi në zonat kontinentale deri të Enjten shumë shumë nxehtë dhe me temperatura maksimale deri në 38 apo 39, kurse në Maqedoninë Veriore deri në 42 gradë Celsius. Nga e Enjta me zhvillime të fuqishme konvektive do të ketë rrebeshe lokale dhe freskim në shumë zona por jo në të gjitha.

Temperaturat maksimale nuk ulen nën 30 gradë Celsius, prandaj nuk do të kemi ndërprerje faktike të valës së nxehtësisë, por vetëm “zbutje” të saj.

Sidoqoftë, me ardhjen e vranësirave dhe rrebesheve lokale do të mund të përjetojmë relaksim nga temperaturat ekstreme, por kjo nuk vlen për shumë vise të Shqipërisë, ngase siç theksuam më lartë vështirë të arrijnë masat ajrore jo-stabile në ato zona, por stuhi priten edhe në shumë zona kontinentale të Shqipërisë.

Pra, për ta thjeshtësuar pak: pjesa e parë e javës me shumë nxehtësi, madje edhe të padurueshme dhe me shumë pak zhvillime atmosferike, kurse pjesa e dytë e javës dhe fundjava me nxehtësi e zagushi, por edhe me gjasa të forta për zhvillime të rrebesheve lokale të shiut me vetëtima, bubullimë dhe breshër.

Sigurisht se gjatë javës do të ketë ndryshime në parashikim sepse e tërë kjo nxehtësi dhe ardhja e masave jo-stabile nuk do të jetë e lehtë për modelet e motit të “lexojnë” saktësisht reagimin e atmosferës dhe zhvillimet eventuale, prandaj ne do të jemi duke vrojtuar dhe përcjellur ecuritë sinoptike. Për çdo ndryshim eventual do të postojmë në njoftimet tona të përditshme e sidomos në Rubriken “Moti nesër dhe ditëve në vazhdim” që e postojmë çdo herë në mbrëmje vonë dhe herët në mëngjes, por do të mundohemi të jemi aktiv edhe gjatë ditës sidomos nëse ka zhvillime të forta./MeteoBallkan