Mesazhi i Agron Llakajt që do ju thyejë zemrën: “2 muaj pa Kostandinën”

Dy muaj kanë kaluar nga ndarja tragjike nga jeta e bashkëshortes së Agron Llakajt, Kostandinës, pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë. Ky moment i dhimbshëm ka prekur thellë jo vetëm Agronin, por edhe të gjithë ata që e ndjekin dhe e duan.

Në kujtim të saj, Agron Llakaj ka ndarë sot një dedikim prekës në rrjetet sociale, duke shprehur me dhimbjen dhe mungesën e madhe.

“Sot 2 muaj pa Ty!

Kalojnë ditët dhe sërish mbetem i pushtuar nga mungesa jote, Kostandina… dhe jetën e shikoj krejt ndryshe. Sa i pakuptimtë ky fati ynë?! Shtyj një ditë, një javë…, sot 2 muaj…, ushqej mendimin se do më kthehesh sërish dhe s’di…, ec rrugës dhe më duket se përpara do më shfaqesh Ti, ke qenë në punë, në bankë a diku…

Ec nga liqeni dhe hapat që vijnë mbrapa nga kushdo më ngjajnë me ritmin e hapave të tua…, sa herë instinktivisht kthej kokën…, ul ritmin të të pres.., dhe sërish vetëm. Ulem te vendi ynë në kafene dhe porosis gjithmonë dy, dy gjysma kafe dhe një shishe ujë…

Në shtëpi çdo lëvizje e hapje e mbyllje dere…, më rrënqeth të gjithin.., mos po vjen ti?!-

“Te kam sjellë dy bluza, provoi cila të rri më mirë?!”

Më mungon e qeshura jote…, malli më shqyen për zërin tënd në telefon – “He mo Agron?! Pusho pak, mos rri pa ngrënë…, të të pres apo vonon?!”

E ditët shtyjnë njëra tjetrën e hëna me diellin vazhdojnë ndërrojnë vendet…, unë jo…, të pres Ty. E si Hachiko jam shndërruar në pritje, në pritje deri në amshim.., nuk kam një vend ku Ty të të pres, në çdo vend më mungon Ti.”