Pasi bëri kërdinë në Tajvan dhe Filipine, tajfuni “Gaemi” godet Kinën! 150 mijë persona largohen nga shtëpitë e tyre

Tashmë Kina do të jetë ajo që do të përballet me tajfunin “Gaemi”, pasi ky i fundit bëri kërdinë në Tajvan dhe Filipine.

Si pasojë e situatës së krijuar, më shumë se 150.000 njerëz që jetojnë në provincën kineze Fujan, në juglindje të shtetit, janë shpërngulur në zona më të sigurta.

Kina ka rritur alarmin në nivelin më të lartë, pas zbarkimit të tajfunit pasditen e kësaj të enjteje.

Shërbimet e trenave janë pezulluar në Fujan, derisa autoritetet në veri të Kinës kanë paralajmëruar për shira të rrëmbyeshëm, të cilët mund të rezultojnë me rrëshqitje dheu dhe vërshime.
Në Tajvan dhe Filipine është raportuar për 21 persona të humbur jetën si pasojë e stuhisë së fuqishme.

Autoritetet në Filipine raportuan se janë në garë me kohën për të penguar rrjedhjen e naftës, pasi një cisternë me 1.5 milion litra të naftës industriale është përmbysur dhe është fundosur në brigje.