Shembet hoteli i turistëve në Gjermani, të paktën një i vdekur dhe 8 të plagosur! Një fëmijë nën rrënoja

Tragjedia ndodhi në zonën piktoreske dhe turistike të Moselës, në Kroev, buzë lumit me të njëjtin emër. Të panjohura shkaqet, po punohet për shpëtimin e të tjerëve. Ndryshimi i kushteve klimaterike ka dëmtuar edhe këtë vend popullor

Gjermani- Kati i parë i një hoteli në zonat më piktoreske dhe turistike të Gjermanisë u shemb, duke vrarë të paktën 1 person dhe plagosur 8 të tjerë.

Mediat ndërkombëtare raportuan se 14 të ftuar po qëndronin në hotelin në Kroev, një qytet i vogël në lumin Moselle, në perëndim të vendit, kur një kat i ndërtesës u shemb tërësisht rreth orës 23:00 të së martës.

Operacionet e shpëtimit vazhdojnë edhe në këto orë, për të nxjerrë gjallë apo vdekur persona të tjerë që besohet se kanë ngecur nën rrënoja, shkruan “La Repubblica.

Reuters raporton se ngjarja ndodhi në bregun e Moselle, në një zonë të rritjes së verës në Rhineland-Pfalz. Kurse shtypi gjerman nënvizoi se shkaku i ngjarjes nuk dihet ende.

Të paktën një nga personat konfirmohet se ndodhet ende nën rrënoja dhe sipas po mediave gjermane që citojnë policinë, është një fëmijë, por që fatmirësisht është gjallë dhe në gjendje optimale shëndetësore.

Kroev ndodhet rreth njëqind kilometra larg Frankfurtit, jo shumë larg kufirit me Luksemburgun, konkretisht rreth 100 kilometra (60 milje) në perëndim të Frankfurtit.

Hoteli në Kroev, pas shembjes
Operacionet e shpëtimit, raporton policia, vështirësohen shumë nga paqëndrueshmëria e pjesës së pallatit që nuk është shembur dhe gjasat për shembje të mëtejshme.

Rreth tridhjetë persona që ndodheshin në ndërtesat aty pranë u evakuuan gjithashtu për shkak të rrezikut të dëmeve që mund të shkaktonte një shembje e plotë në mjedisin përreth.

Rajoni i Moselës është një destinacion popullor turistik veror, me vreshtat dhe kështjellat e tij piktoreske, por duket se së fundmi edhe për shkak të ndryshimeve klimaterike dhe erozionit, po kthehet në rrezik për aksidente apo katasfrofa.