“E masakruan, ambulanca u vonua”-flet motra e 42-vjeçarit të vrarë në Pogradec

Motra e 42-vjeçarit, Egli Proga i cili u vra dy ditë më parë në Pogradec, ka folur këtë të hënë për mediat ku tha se fillimisht për ngjarjen është lajmëruar nga djali i tezes së saj. Ajo tha se në fillim policia i ka thënë se ai është rrëzuar, ndërsa në të vërtet dallohej që ishte dhunuar.

Motra e Progës, tha se atë ditë ai sapo kishte lënë punën dhe nuk kishte asnjë informacion se përse ai u sulmua nga i riu Denis Meçe.

“Na lajmëroi djali i tezes. Vrapova në spital. Ai ishte atje, i masakruar, me mjekët që po i jepnin ndihmën e fundit. Ai ndoshta kishte mbaruar në atë moment, po i bënin elektroshok. Mjekët nuk mundën ta kthenin në jetë. Pyeta se çfarë ka ndodhur, na thanë se ishte rrëzuar, nuk na thanë asgjë që po mblidhnin prova. Nuk e dinim për sherrin. Dallohej qartazi që ishte i dhunuar, dallohej nga mjekët dhe nuk thuhej nga askush që është bërë një vrasje.

E kanë vrarë, e kanë masakruar, e kanë hedhur në rrugë dhe e kanë lënë. Ambulanca është vonuar gjysmë ore. Policia nuk pranonte që ta lëviznin pa ardhur ambulanca. Egli ishte njeri i qetë, ai sa ka mbyllur punën, nuk e di çfarë ka ndodhur atë e kanë kthyer e më pas e kanë vrarë. Kjo është vrasje nga të gjitha anët, nuk është një vrasës. Duam të hetohet çdo gjë në detaje, çdokush që e ka parë kur është masakruar një i pambrojtur”,-tha motra e Egli Progës.

Fillimisht u raportua se 42-vjeçari në gjendje të dehur ishte rrëzuar në rrugë dhe nuk i kishte mbijetuar dot plagëve të marra.

Por, pas hetimeve, u zbulua se ishte dhunuar nga i riu, Denis Meçe. Ky i fundit u konfliktua fizikisht me Egli Progën dhe më pas është larguar. Proga është gjetur i shtrirë në rrugë dhe u dërgua në spital, por nuk arriti që t’i mbijetojë dëmtimeve të marra.

Ndërkohë 29-vjeçari është vendosur në prangat e policisë së bashku me tre persona të tjerë, Voltan Shulku, Arian Manellari dhe Leonidha Guçe, që akuzohen për moskallëzim krimi.