1 në 4 familje “mbahen” nga emigrantët! Në 6 muajt e parë, 510 mln € dërgesa nga jashtë

Emigrantët sollën 510 milionë euro për të afërmit e tyre në gjashtëmujorin e parë. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë kjo është vlera më e lartë e regjistruar deri më tani sa i takon remitancave, duke bërë që 1 në 4 familje të përfitojë prej tyre. Dërgesat më të mëdha vijnë nga Greqia, Italia dhe SHBA.

Një në katër familje në vend, i ka burim kryesor të ardhurash dërgesat e të afërmeve të tyre emigrantë.

Remitancat po rriten me % dyshifrore prej vitesh, duke dëshmuar dy zhvillime thelbësore. Së pari është shtuar numri i emigrantëve shqiptarë nëpër botë, dhe së dyti financim më i madh i familjeve në kushtet e inflacionit e kostove të jetesës që nuk ndalin rritjen.

Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti emigrantët kanë sjellë përmes transfertave bankare ose jo bankare 510 milionë euro, rreth 66 milionë euro më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2023. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë vetëm në tremujorin e dytë të këtij viti dërgesat kapën vlerën 268 milionë euro. Por dërgesat e emigrantëve janë edhe më të larta, nëse vlerësojmë edhe miliona euro që vijnë në vend cash, sidomos në periudha kur emigrantët kthehen në vend për pushime apo festa të ndryshme.

“Prurjet valutore të emigrantëve, shënuan rreth 268 milionë euro, në rritje vjetore (17%). Gjatë periudhës, vijon rritja e dërgesave jo vetëm në kanale formale (sistem bankar dhe operatorë të transferimit të parave), por edhe në formën e prurjeve në cash”, thotë Banka në raportin e saj.

Referuar shifrave të bankës pjesa më e madhe e remitancave vjen nga Italia dhe Greqia, ndjekur më pas nga SHBA dhe Gjermania.

Përgjatë vitit të kaluar dërgesat e emigrantëve kanë arritur vlera rekord që prej 2008-s, pasi emigrantët sollën në vend 929 milionë euro duke u rritur me 95 milionë euro në raport me vitin 2022.

Por nga ana tjetër zhvlerësimi i euros po ndikon negativisht në këto transferta, pasi qytetarët kur bëjnë konvertimin e eurove në lekë, po marrin më pak para në dorë se vjet.