E pazakontë në fluturim, pasagjerja gjen miun në ushqim! Avioni bën ulje emergjente, u konsiderua si ‘rrëmbim’

Danimarkë- Ngjarje e pazakontë ka ndodhur në fluturim e sipër, që për fat të mirë nuk u kthye në aksident ajror.
Pasagjerja gjen një mi të gjallë në vaktin e saj, gjatë një fluturimi të linjës Oslo-Malaga (Norvegji-Sanjë).

Zëdhënësi i linjës ajrore “Scandinavian Airlines”, deklaroi se kafsha përbënte një rrezik sigurie, teksa u desh që të bënte edhe një ulje emergjente në Kopenhagen (Danimarkë).

Sipas “TGCOM”, një mi i gjallë kërceu nga ushqimi i servirur pasagjerit në bord. Edhe BBC raportoi të njëjtin informacion, referuar konfirmimit nga vetë kompania ajrore.

Nga kryeqyteti danez, pasagjerët u nisën për në qytetin spanjoll me një avion tjetër, pasi siguria ishte cenuar dhe nuk mund të vijohej me të njëjtin mjet fluturimi.

“Rrëmbimi (kështu u cilësua teknikisht) ishte në përputhje me procedurat e kompanisë pasi kafsha përbënte një rrezik sigurie”, tha zëdhënësi i linjës ajrore Oystein Schmidt, për agjencinë e lajmeve AFP.
Dhe më tej vijoi:
“Kjo është diçka që ndodh rrallë”.

Zakonisht, kompanitë vendosin kufizime të ashpra në lidhje me praninë e brejtësve në bordin e avionëve, për të shmangur rrezikun që kafshët të gërryen kabllot elektrike, shpjegon BBC.

Një nga pasagjerët e linjës në fjalë e pohoi pas ngjarjes duke u shprehur se ishte dëshmitar:

“Besojeni apo jo, një zonjë pranë meje hapi ushqimin dhe një mi u hodh jashtë. Tani ne zbritëm në aeroportin e Kopenhagenit për të ndryshuar fluturimet”, u shpreh Jarle Borrestad, në rrjetin social Facebook.