Çantat e rënda dhe qëndrimi në celular po deformojnë shtyllën kurrizore, 3% e fëmijëve me skoliozë

Qëndrimi me orë të gjata para pajisjeve elektronike, por edhe çantat me librat e shkollës kanë ndikuar në shtimin e rasteve të fëmijëve me skoliozë, që ndryshe njihet si deformim i shtyllës kurrizore.

“Faktorët favorizues janë një peshë më shumë se sa duhet, pasi gjatë procesit të rritjes strukturat e trupit nuk janë të formuar.

Nëqoftëse ne e mbingarkojmë strukturën, automatikisht mund të dëmtojmë atë. Një çantë shpine më e madhe seç duhet, më e rëndë seç duhet është faktor favorizues. Dhe sugjerojmë fëmijët e prindërit t’i mbajnë çantat në të dy krahët. Po ashtu edhe qëndrimi pa kriter, qëndrimi i papërshtatshëm, dhe me orë të zgjatura para pajisjeve teknologjike ndikon”, shprehet mjeku ortoped, Abdurrahim Palushi.
Pesha e rëndë e çantave të shkollës është një shqetësim edhe për vetë nxënësit dhe prindërit.

“Është shumë e rëndë, më ikën trupi shtrembët, edhe më dhemb qafa”, shprehet një nxënës
“I shoqërojmë ne për tua marr çantën, se i trembemi skoliozës”, thotë një prind
Në kohën tonë s’kanë qenë kaq të rënda, s’e kuptojmë arsyen”, thotë një tjetër prind.
Mjeku ortoped Traumatolog Abdurrahim Palushi jep këshilla se si prindërit ta dallojnë nëse fëmija i tyre ka probleme me deformimin e shtyllës kurrizore.

“Dy shenjat karakteristike ku mund të dyshoj edhe prindi për konsultën; e para në ballore duhet të kemi një asimetri të supeve, që do të thotë njëri sup më poshtë se tjetri dhe shenja e dytë një dhimbje shpine e vazhdueshme pa një arsye, e pajustifikuar”, shpjegon mjeku.

Skolioza prek çdo grup-moshë, por ata në moshën e pubertetit dhe djemtë janë më të rrezikuarit.
“Të gjitha grup moshat i prek, por më frekuentja është në moshën 10 derisa përfundon procesi i rritjes. Po të bëjmë një grafik të rritjes të fëmijët, nga mosha 0-10 vjeç grafiku është linear, ndërsa në moshën mbi 10 vjeç rritja është eksponenciale.

Ky është momenti që mund të shpërthejnë edhe të kapin edhe format e skoliozës. Nga praktika jonë e përditshme shohim trendin që djemtë kryesisht përpiqen më shumë për trupin e palestruar dhe me forma, të cilët në tentativë për të bërë këtë trupin e bukur abuzojnë me ushtrimet nëpër palestra. Ndaj duhet të bëjnë kujdes, me ngarkesat. Shpesh herë padashje ata dëmtojnë trupin e tyre”, thotë mjeku.

Në mbarë botën 3% e fëmijëve dhe adoleshentëve vuajnë nga skolioza. Vitet e fundit deformimi i shtyllës kurrizore në formë S-je, është kthyer në një shqetësim edhe për vendin tonë, ku së fundmi Ministria e Shëndetësisë ka hartuar një program kombëtar depistimi për skoliozën në shkolla. Ky plan do të nisë me ekzaminimin me sy të lirë nga mësuesit e fizkulturës, dhe ata që rezultojnë me probleme do të orientohen më pas në konsulta me mjekët specialistë.