Flakë e debat në më pak se 30 minuta, opozita e thotë njëzëri: S’ka më kompromis!

Në më pak se 30 minuta, u zhvillua seanca plenare këtë të Hënë e shoqëruar me një sërë tensionesh. Që në nisje të saj, në orën 17:00, deputetët e PD-së ashtu siç kishin paralajmëruar krijuan kaos në sallë. Ata hodhën sende në drejtim të kryeparlamentares Elisa Spiropali.

Më tej, Spiropali njofti vakancën për ish-deputetin demokrat Ervin Salianji i cili u dënua me 1 vit burg pak ditë më parë për kallëzim të rremë.

Teksa Garda u bë “gardh” te foltorja, opozitarët morën karriget e tyre dhe i zhvendosën ato jashtë Parlamentit. Kjo një shenjë revolte për atë që ata e cilësojnë ‘burgosje politike e Salianjit’.

Më pas, karrigeve u vunë flakën!

Ky akt ekstrem që nuk e kemi parë deri më sot në Kuvend, përpos revoltës, demonstroi vendosmërinë e opozitës për ta çuar më tej aksionin e saj. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi tha se ‘është Edi Rama ai që i ka vënë flakën Parlamentit’.

Në orën 17:23, në kushtet e debatit kryetarja e Kuvendit u detyrua të mbyllë seancën. Ajo përjashtoi Flamur Nokën, pasi ky i fundit pati përplasje verbale me socialistin Petro Koçi. Jashtë Kuvendit, Noka theksoi se panorama e sotme do të jetë e njëjtë në vijim.

Edhe eksponentë të tjerë të opozitës u shprehën me bindje se me PS nuk ka dialog. Ata paralajmëruan protestë madhështore më datë 7 Tetor dhe shtuan se krijimi i qeverisë teknike është e vetmja zgjidhje!