Rëndohet bilanci tragjik: Të paktën 130 viktima nga uragani “Helene”

Thellohet në 130 numri i viktimave të uraganit “Helene”, që goditi javën e kaluar juglindjen e Shteteve të Bashkuara që prej të enjtes, ndërkohë që zyrtarët kanë frikë se numri i humbjeve të jetëve mund të rritet.

Ndërkohë mijëra të tjerë raportohen të zhdukur, kjo dhe si pasojë e pamundësisë për të kontaktuar me familjarët në ato zona ku infrastruktura e komunikimit është dëmtuar.

Shumë rrugë janë të mbyllura, sidomos në Karolina duke penguar kështu dërgimin e furnizimeve shumë të nevojshme. Ndërsa më tepër se 2 milionë banorë kanë mbetur pa energji elektrike.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti Joe Biden do të vizitojë disa nga komunitetet e prekura më vonë këtë javë, kur kjo të mos pengojë operacionet e reagimit emergjent.

Banorët vendas flasin për pasoja biblike të shkatërrimeve dhe thonë se kurrë nuk kanë parë një gjendje të tillë.

Që prej të enjtes kur preku brigjet e Floridës me një shpejtësi prej më shumë se 200 kilometrash në orë, uragani ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në shumë shtete federale si Xhorxha, Tenesi, Kentaki e Karolinën e Veiut./tvklan.al