Drejtori i Neurologjisë sulmohet nga qentë endacak në oborr të QKUK-së, kërkohet intervenimi i kryetarit Rama

U raportua gjatë ditës se drejtori i Klinikës së Neurologjisë në QKUK, Edmond Komoni, është sulmuar nga qentë endacakë mu në oborr të QKUK-së, duke pësuar lëndime të konsiderueshme trupore.

Nga SHSKUK-ja deklaruan se raste të tilla ka pasur edhe më herët, por që fatmirësisht kanë qenë me lëndime shumë më të lehta sesa ky i sotmi, teksa shtoi se për këtë kanë kërkuar zgjidhje disa herë nga organet kompetente.

Për rastin reagoi edhe asamblistja Kumrije Shabani, e cila kërkoi nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, që ndërmarrë masa të menjëhershme për të mbrojtur qytetarët nga ky rrezik.

Sipas saj, është e papranueshme që profesionistët shëndetësorë dhe qytetarët të jetojnë në frikë për jetën dhe sigurinë e tyre për shkak të dështimit të menaxhimit të këtij problemi.

Ky është postimi i plotë i saj:

I nderuar kryetar, Perparim Rama

Në cilësinë e një përfaqësuese të qytetarëve në asamblenë komunale, ndjej përgjegjësinë që të reagoj ndaj një situate alarmante, e cila ka prekur qytetarët tanë, përfshirë punonjësit shëndetësorë të cilët japin gjithçka nga vetja për të siguruar shëndetin e komunitetit tonë.

Një qytetare më ka drejtuar një rast të rëndë ku burri i saj, një neurolog që punon me përkushtim të lartë në Qendrën Klinike Universitare, është sulmuar dhe kafshuar nga qen endacakë gjatë ushtrimit të detyrës së tij. Ky rast, së bashku me shumë të tjerë të ngjashëm, është një pasqyrë e qartë e neglizhencës së qeverisjes suaj për të zgjidhur problemin e qenve endacakë në qytet.

Është e papranueshme që profesionistët shëndetësorë dhe qytetarët të jetojnë në frikë për jetën dhe sigurinë e tyre për shkak të dështimit të menaxhimit të këtij problemi.

Z. Rama, kërkoj nga ju që të ndërmerrni masa të menjëhershme dhe konkrete për të mbrojtur qytetarët nga këto rreziqe. Kafshimet nga qentë endacakë nuk mund të jenë më një ngjarje e zakonshme në qytetin tonë.

Siguria dhe mirëqenia e qytetarëve është prioriteti kryesor .

Ftoj urgjentisht që të adresoni këtë situatë dhe të jepni llogari për vonesat e zgjidhjes së saj.