“Nëse qëndroni, do të vdisni”- Kaos në rrugët e Floridas pasi autoritetet ngritën alarmin për Uraganin Milton, shteti në gatishmëri të lartë

Florida është në gatishmëri të lartë pasi uragani Milton i afrohet bregut perëndimor të shtetit, duke sjellë rreziqe serioze për herë të dytë në më pak se dy javë, pas shkatërrimit të shkaktuar nga uragani Helene.

Milton është stuhia “më e keqe” që ka goditur zonën Tampa në më shumë se 100 vjet, sipas NHC.

Guvernatori i Floridës Ron DeSandis u bëri thirrje banorëve të përgatiten për një stuhi “të egër”, duke e quajtur atë uraganin më të fortë që ka goditur Gjirin e Meksikës që nga viti 2005. “Le të përgatitemi për më të keqen dhe të shpresojmë që të dobësohet.

Unë mund ta them këtë pa asnjë ndjenjë drame: nëse zgjidhni të qëndroni në një nga zonat e evakuimit, do të vdisni”. Milton tani është përmirësuar në një uragan të kategorisë 5, me erëra deri në 350 km/h dhe pritet të zbresë në zonën e Gjirit Tampa të mërkurën.

Deri më tani, të paktën nëntë qarqe kanë lëshuar urdhra të detyrueshëm evakuimi dhe autoritetet po u kërkojnë banorëve që të respektojnë pa vonesë. Kryebashkiaku i Tampa, Jane Castor dha një paralajmërim të ashpër: “Nëse vendosni të qëndroni në këto zona evakuimi, ai vendim mund t’ju kushtojë jetën tuaj.”

Të martën në mëngjes, cikloni kaloi bregun verior të Gadishullit Jukatan në Meksikë, me erëra të forta dhe një stuhi kërcënuese. Parashikuesit paralajmërojnë se stuhia mund të forcohet më tej ndërsa shkon drejt Floridës dhe efektet e saj mund të ndikojnë në një pjesë të madhe të bregut perëndimor të shtetit. Zona e Gjirit Tampa, e cila është veçanërisht e ndjeshme ndaj përmbytjeve dhe stuhive, nuk është goditur drejtpërdrejt nga një uragan në më shumë se një shekull.

Guvernatori DeSandis paralajmëroi se banorët duhet të finalizojnë planet e evakuimit sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi nuk ka asnjë garanci se si do të zhvillohet moti të mërkurën. Ndërkohë, trafiku në autostradë është rritur në masë pasi banorët largohen nga zona. Disa parqe tematike në Florida, si Disney World dhe Universal Orlando, mbeten të hapura, ndërsa të tjerët tashmë kanë njoftuar mbyllje të përkohshme.