Brajan Gruda i ‘jep duart’ Shqipërisë: Zemra ime thotë që dua të luaj për Gjermaninë

Brajan Gruda përfundimisht ka vendosur të zgjedhë kombëtaren e Gjermanisë dhe mos pranojë ftesën e Sylvinhos për të kaluar te Shqipëria. Nga grumbullimi me U-21 e Gjermanisë, djaloshi që këtë verë la Mainz dhe kaloi në Premier League te Brighton, tha se origjina e tij është shqiptare, por zemra i thotë që të përfaqësojë Gjermaninë. I ftuar edhe nga ekipi A, ai ka objektiv që të jetë pjesë e ekipit të parë në Botërorin 2026.

“Jam i lumtur që jam këtu, po argëtohem, si në stërvitje dhe jashtë saj. Jam kthyer në stërvitje prej 1 jave. Mendoj se do të prezantohem ngadalë dhe do të marr disa minuta në ndeshjen e parë. Ndoshta më shumë në ndeshjen e dytë. Do ta shfrytëzoj sa më shumë kohën time me U21, minutat do të më bëjnë mirë.
Grumbullimi me kombëtaren A të Gjermanisë, ishte një ndjenjë e mrekullueshme. Isha në gjendje të stërvitesha me lojtarë që më parë i shihja vetëm në TV. Ishte intensive dhe mund të shihje qartë ndryshimin në cilësi në krahasim me U21.

Për momentin jam i lumtur që jam me U21 dhe ky është fokusi tani. Por të gjithë duan të luajnë për ekipin A. Synimi im është Kupa e Botës 2026 dhe dua të luaj një rol të rëndësishëm atje. Dua të fitoj gjithçka me U21. Është më mirë nëse i fitojmë të dyja. Do të vijë edhe koha ime në ekipin e të rriturve.

Unë kam familjen në Shqipëri, prindërit e mi vijnë nga atje. Këtu kam lindur dhe rininë e kam kaluar në Gjermani. Nuk e di se çfarë ka e ardhmja, por zemra ime më thotë se dua të luaj për Gjermaninë”, tha Gruda për ‘allgemeine-zeitung.de’.