Ylli Pata: Shuplaka politike e BE, ndaj protestës groteske për Berishën në Bruksel

Ardhja e “kryeministres së Europës” në Tiranë më 23 tetor, natyrisht që është një axhendë diplomatike në lidhje politikat europiane në rajon.

Por sipas gjasave nuk është rastësi, caktimi i vizitës, pikërisht në shpalljen kur deputetët e Berishës kanë planifikuar një protest në kryeqytetin europian.

Pikërisht, kur ata ndodhen atje, Ursula Von der Leyen është në Tiranë. E cila, së bashku me krerët e Europës, nuk e kanë harruar që në samitin e Tiranës kur ishin mbledhur me të gjithë krerët e 27 vendeve të BE-së, Sali Berisha protestoi fort në Tiranë. Tek ne është harruar sepse quhet “dita e grushtit”, ku edhe pasojat, por edh protagonistin s’e përmend askush.

Por në realitet kemi të bëjmë sipas të gjitha gjasave me sinjal politik, për të treguar një lëvizje politike. Jo thjesht se BE, përkatësisht komisioni merret me një forcë politike jo aq relevante në një vend të vogël si Shqipëria.

Por BE, apo çdo shtet që e përbën atë janë mjaft serioze dhe veprojnë me kancelari shekullore. E këtu në Tiranë ata kanë ambasadorë, që nuk janë thjesht ndërlidhës, apo përcjellës mesazhesh, por pjesë integrale të një shteti.

Sot ne pas më shumë se 500 vjet e mësojmë historinë e Skënderbeut nga shënimet e ambasadorrit të tij Pal Engjëlli, apo nga librat e Barletit. Ne sot, dimë për Ali Pashën nga Pukëvili, ambasadori i Francës në Janinë, apo për Shkodrën nga Franc Nopça, i cili bëri edhe hartat e Shqipërisë e veriut. E me radhë e me radhë.

Prej vitesh të gjithë ambasadorët e Bashkimit Europian, nga Romana Vlahutin e deri tek i sotmi, Silvio Gonzato, të gjithë shahen e mallkohen nga Sali Berisha edhe Ilir Meta, a thua se vërtetë ta janë fajtorët.

Në fakt, ata janë dëshmitarët e ndodhive që ndodhin në Tiranë, e kanë aftësinë e mjeshtrinë për t’i përcjellë me sa më shumë finesë e korrektesë. Kështu ka ndodhur gjithmonë me diplomatët.
Të cilët në fund, janë edhe këshilltarët më të mirë të krerëve politikë për të marrë vendimin e duhur në lidhje me qëndrimin ndaj një shteti. Sepse në fund të fundit e njohin më mirë dhe punojnë ditë për ditë për këtë.

Sinjali i vizitës së “gruas së hekurt” që sot i luten të gjithë shtetet europiane, pasi ajo firmos miliarda euro të PNRR siç quhet ndihma për zhvillim, është shumë i qartë. Dhe mund të themi është politik.

Një sinjal që e kemi parë se si sillen ndaj një forcë politike Perëndimore, për t’i treguar se jo vetëm nuk janë të shqetësuar ndaj tij, por i qëndrojnë përballë.