Një në shtatë adoleshentë evropianë vuan nga çrregullime mendore”, thotë UNICEF-i. Kjo organizatë e OKB-së thekson se si afërsisht gjysma e të gjitha problemeve të shëndetit mendor globalisht shfaqen pak a shumë para moshës 18-vjeçare.
“Shumë fëmijë janë të mbushur me trishtim, dhimbje ose ankth. Disa pyesin se ku po shkon kjo botë dhe cili është vendi i tyre në të. Është një ajsberg që ne e kemi injoruar për një kohë të gjatë dhe, nëse nuk veprojmë, do të vazhdojmë të kemi rezultate katastrofike për fëmijët dhe shoqëritë, shumë kohë pas përfundimit të pandemisë”, theksoi Henrietta H. Fore, drejtore ekzekutive e UNICEF-it.
Sipas raportit të UNICEF-it rreth 11,2 milionë fëmijë dhe të rinj të moshës 19 vjeç (5,9 milionë meshkuj dhe 5,3 milionë femra) në Bashkimin Evropian vuajnë nga një problem i shëndetit mendor. Në mesin e njerëzve të moshës 15-19 vjeç, rreth 8% vuajnë nga ankthi dhe 4% nga depresioni.
Vetëvrasja është shkaku i dytë i vdekjes (pas aksidenteve rrugore) tek të rinjtë e moshës 15 deri në 19 vjeç në Bashkimin Evropian. Në vitin 2020, rreth 931 të rinj vdiqën nga vetëvrasja në BE, ekuivalente me humbjen e rreth 18 jetëve në javë. Rreth 70% e të rinjve të moshës 15-19 vjeç në BE që vdesin nga vetëvrasja janë meshkuj.
“Ne nuk mund të presim më gjatë, nuk mund të zhgënjejmë një brez tjetër”, përfundoi Henrietta H. Fore. Apeli është që të kujdesemi që këto çrregullime të identifikohen dhe trajtohen në kohë dhe që komunitetet dhe institucionet të kujdesen për krijimin e një rrjeti për të mbështetur më të cenuarit.