ITALI – Më autor të dyshuar të dashurin 15-vjeçar, autoritetet italiane vazhdojnë hetimet për vdekjen e 14-vjeçares shqiptare të quajtur Aurora, e cila ra nga tarraca e një papafingoje në katin e shtatë të një pallati, mëngjesin e 25 tetorit në rrugën ‘IV Novembre’, Piacenza.
Sipas “La Repubblica”, këtë të hënë (28 tetor 2024) do të bëhet autopsia e trupit të 14-vjeçares shqiptare në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Pavia.
Autopsia synon të zbulojë nëse ka shenja dhune nga i dashuri 15-vjeçar – po ashtu me origjinë shqiptare – pasi ky i fundit ishte personi më të cilin thuhet se 14-vjeçarja kaloi momentet e fundit para se binte nga kati i 7, duke gjetur vdekjen.
Nëna dhe motra e të miturës kanë preenduar në polici se marrëdhënia e 14-vjeçares dhe e adoleshentit ka qenë e “stuhishme, e përbërë nga kërcënime dhe poshtërime”.
Gjithashtu familjarët e viktimës, pretendojnë se i dashuri shqiptar e dhunonte aq shumë saqë e mitura ishte detyruar të vizitohej tek një gjinekolog për hemorragji.
Në përkujtim të saj, shokë, shoqe dhe stafi i shkollës ku studionte 14-vjeçarja, vendosën buqeta me lule dhe tollumbace të bardha në portën kryesore të institucionit arsimor, me mesazhe dashurie si “do të jesh gjithmonë në zemrat tona” dhe “udhë të mbarë vogëlushe”.