1 muaj nga përmbytja në Vlorë, asnjë dëmshpërblim! Prefekti: Bashkia s’ka fonde

Një muaj pas përmbytjeve më të mëdha që kishte parë ndonjëherë qyteti, Vlora i është kthyer normalitetit, por pasojat e dëmeve që ato lanë pas janë ende të mëdha. Shumë banesa, biznese por edhe institucione u përmbytën një muaj më parë, por deri më tani përveç premtimeve askush nuk është dëmshpërblyer.

“Bashkia e Vlorës ka një fond për dëmshpërblimet nga fatkeqësitë natyrore dhe ky fond është 17 milion lekë , ndërkohë qe nga llogaritjet për dëmshpërblim të dëmeve duhet rreth 60 milion lekë të reja, të cilat do të merren nga qeveria, ndërkohë që deri në miratimin e fondeve për të shkuar në ndihmë të banorve duhen 2 muaj”, tha Adrian Vreshtazi, Drejtori i emergjencave civile pranë Bashkisë Vlorë.

“Për të dëmshpërblyer familjarët ne si prefekturë jemi në tratativa me qeverinë, pasi bashkia e Vlorës nuk i ka te gjitha fondet. Ne si prefekturë duhet të bëjmë punën për të rregulluar kanalet e ujërave të larta pastrimeve por dhe prishjen e ndërtimeve pa leje”, u shpreh Kristo Kiço, Prefekti i qarkut të Vlorës.

Trauma e përmbytjeve ishte e madhe tek disa persona, mes tyre edhe Klementina Tafilaj e cila u rrëmbye nga uji në lagjen 15 tetori pasi shpërtheu kanali i ujërave të larta.

Kujtim Tafilaj bashkëshorti i saj, tregon momentet e vështira dhe thotë se bashkëshortja e tij ka shpëtuar për mrekulli. Kur është mbushur një muaj nga përmbytjet, shpresa për të rikuperuar dëmet dhe marrë dëmshpërblimet e premtuara është e vetmja që iu ka mbetur banorëve të Vlorës./Top Channel