Shqiptari vret gruan në sy të vajzës dhe prindërve! Dyshohet për xhelozi, flasin fqinjët: Dëgjuam 6-7 të shtëna arme

SHBA- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Worchester të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Raportohet për një krim në familje shqiptare, me bilanc një të vrarë dhe një të plagosur, teksa dinamika mbetet ende e paqartë dhe po hetohet.

Bruna Flamuraj dyshohet se është vrarë nga bashkëshorti i saj Lindi Flamuraj, rreth orës 02:00 të mëngjesit të djeshëm (7 Nëntor), në Massachusetts. Fqinjët shpjeguan se dëgjuan fillimisht të bërtiturat e gruas, më tej ulërima të forta dhe në fund 6 apo 7 të shtëna arme.

Edhe autori i dyshuar është shtruar në spital i plagosur, pasi sipas informacioneve të para ka marrë lëndime pas sherrit me të shoqen. Krimi besohet se ndodhi në sy të vajzës dhe prindërve.

Duket se shkak për sherrin mes çiftit ishte bërë xhelozia. Policia amerikane nuk ka dhënë ende detaje dhe ekspertët po bëjnë këqyrjet e nevojshme dhe mbledhjet e provave, duke hetuar dinamikën dhe motivet, apo nëse ka persona të tjerë të përfshirë.

“Kjo është një lagje shumë e qetë. Ne kemi njerëz që ecin gjatë gjithë kohës. Thjesht rrallë ndodh diçka këtu. Është West Side of Worcester”, ka rrëfyer një prej banorëve.

Deri më tani nuk ka ende detaje të tjera në lidhje me ngjarjen, por ajo që raportohet është se autori është shtruar në spital i plagosur, pasi ka pësuar dëme gjatë konfliktit me të shoqen, ngjarje që përfundoi me vrasjen e saj.