E mbytur në kujtime, Edlira Çepani shkruan për Gerti Bogdanin: Faleminderit që më zgjodhe mua!

Edlira Çepani ka shkruar disa fjalë zemre dedikuar partnerit të jetës, Gerti Bogdanit. E ndërsa endet ndër kujtime, Edlira ka ndarë në rrjete sociale pjesë nga një intervistë televizive ndërsa ajo përshkruante mbështetjen e madhe që bashkëshorti i saj i ka dhënë gjatë kohëve.

Një shembull për tu ndjekur, kështu do të mbetet figura e Gertit në shtëpinë Bogdani teksa Edlira e përmbyll postimin e saj duke e cilësuar atë një dritë në rrugën e jetës.

“Ndërkohë që rishoh këto emisione të viteve të shkuara, vazhdoj ta falenderoj Zotin çdo ditë për ty Gerti im. E falenderoj që pata fatin të të kisha në krah në këtë jetë, se rrallë herë i vijnë kësaj bote njerëz si ti! E falenderoj edhe tani, që ti nuk je më fizikisht, sepse kam fatin të të kem etalonin tim të vlerave dhe shembullin më të mirë për t’u ndjekur, si për vete, ashtu dhe për Ajrën dhe Reinartin tonë.

Faleminderit që më zgjodhe mua që të ecnim bashkë për dore! Ti do jesh gjithmonë drita në rrugën time!”, shkruan Edlira Çepani.

Gerti Bogdani ka ndërruar jetë papritur të mërkurën e 18 shtatorit teksa ndodhej në ambientet e Hotel “Rogner” në kryeqytet, nën shoqërinë e kolegëve dhe miqve të tij, gati për të marrë pjesë një takim zyrtar kur ka pësuar një goditje në zemër.