“Po flija me vajzën kur më erdhën në shtëpi” – Elsa Lila rrëfen momentin e arrestimit në Itali

Artistja Elsa Lila ka publikuar kohët e fundit librin e saj të parë me titullin “Mirë se erdhe në Rabibbia”.

Në emisionin “Off the Record” me gazetarin Andrea Danglli në A2 CNN, Lila ka ndarë detaje mbi përvojën e saj, duke përfshirë momentin e arrestimit në Itali, kur akuzohej për përfshirje në organizata kriminale të trafikut të drogës.

Ajo tregoi se në momentin kur u arrestua, ishte duke fjetur me vajzën e saj kur Karabinierët iu paraqitën në derë të shtëpisë.

Sigurisht që si për këdo tjetër, jo vetëm për mua si artiste, por edhe si njeri, si nënë… Sepse isha duke fjetur me vajzën time paqësisht.

Nuk isha duke bërë akte vandale rrugëve, nuk isha duke vjedhur, nuk isha duke bërë akte kriminale, por duke fjetur paqësisht, sigurisht që për këdo, të ngrihet nga gjumi në mes të natës, në mënyrë aq të dhunshme nga forcat e rendit, pa e pritur, sepse kur dikush e pret, ka bërë një krim dhe nuk e zë gjumi natën.

Ajo theksoi se nuk e priste arrestimin, sepse nuk kishte kryer asnjë krim:

Kurse unë nuk e prisja. Unë nuk e prisja sepse nuk kam bërë asnjë krim dhe shokimi i atij momenti ishte i 5-fishtë. Duke pasur afër vajzën time, i 100-fishtë. Sepse u shqetësova më shumë për shqetësimin e saj se për shqetësimin tim”, tha Lila.