Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’! Raportohet për një të vdekur dhe mijëra familje pa energji elektrike

Stuhia ‘Bert’ goditi sot Britaninë dhe Irlandën, duke sjellë erëra të forta, borë dhe rrezik përmbytjesh, duke ndërprerë transportin dhe duke lënë dhjetëra mijëra familje pa energji elektrike.

Një burrë rreth të 60-ave është vrarë mëngjesin e sotëm në Hampshire të Anglisë, kur një degë peme ka rënë mbi makinën e tij.

Një alarm për përmbytje është lëshuar në shumë pjesë të Anglisë, Uellsit dhe Skocisë, të cilat janë mbuluar nga një shtresë e trashë dëbore.

Deri pasdite, rreth 4,000 familje ishin pa energji në Anglinë qendrore dhe jugperëndimore dhe në Uellsin jugor. 27,000 njerëz të tjerë ishin pa energji elektrike në Yorkshire dhe Lincolnshire, në Anglinë verilindore, sipas kompanive që drejtojnë rrjetin.

Një zëdhënës i Shoqatës së Rrjeteve të Energjisë (ENA), Ross Easton, paralajmëroi se situata mund të përkeqësohet sepse “më e keqja nuk ka ardhur ende”.

Në perëndim dhe veriperëndim të Irlandës, 60,000 shtëpi, ferma dhe biznese po përjetojnë gjithashtu ndërprerje të energjisë, tha njësia publike ESB.

Shumë rrugë dhe linja hekurudhore janë mbyllur, ndërsa shërbimet e trageteve janë anuluar. Përmbytjet tashmë janë raportuar në Irlandën perëndimore dhe Irlandën e Veriut.

Sipas Met Office, në disa zona bora pritet të arrijë në 20-40 cm. Në Angli vazhdojnë reshjet e borës, të shoqëruara me erëra të forta që arrijnë shpejtësinë 130 kilometra në orë.

Aeroporti i Newcastle, në veri-lindje, u mbyll për shkak të borës dhe avionët u detyruan të devijojnë dhe ulen në Belfast ose Edinburg.

Shumë ndeshje futbolli u anuluan.

Shira të dendur priten gjatë natës dhe të dielën në Anglinë lindore dhe jugore.