“Ëndrra e Evropës shtrihet në Ballkanin Perëndimor”, Von der Leyen: Angazhimi do të jetë më i fortë se ai i Rusisë

Ëndrra e Evropës shtrihet në Ballkanin Perëndimor, Ukrainë, Gjeorgji dhe Moldavi, tha këtë të mërkurë Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Gjatë prezantimit të ekipit të saj të ri të komisionerëve dhe programit të tyre në Parlamentin Evropian, ajo theksoi se angazhimi i Evropës ndaj këtyre vendeve do të jetë gjithmonë më i fortë nga Rusia.

“Lufta për liri nuk ka të bëjë vetëm me 27 shtetet tona anëtare. Ëndrra e Evropës shtrihet në Ballkanin Perëndimor, Ukrainë, Moldavi dhe më gjerë. Ne kemi parë guximin e popullit të Ukrainës në ndjekjen e rrugës së tyre evropiane. Ne kemi parë qëndrueshmërinë e popullit të Moldavisë për të mbajtur të ardhmen e tyre evropiane. E kam parë dhe e kemi parë angazhimin e Ballkanit Perëndimor për reforma, rritje dhe përgatitje për anëtarësim në BE”, tha Von der Leyen në fjalimin e saj para deputetëve të Parlamentit Evropian.

Në të njëjtën kohë, pohon Von der Leyen, “ne kemi parë se si Rusia nuk do të ndalet para asgjëje për të parandaluar të ardhmen e saj evropiane”.

“Por angazhimi i Evropës ndaj këtyre vendeve do të jetë gjithmonë më i fortë”, tha Von der Leyen.

Ajo shtoi se BE-ja e dëshiron Ukrainën si pjesë të saj dhe do të qëndrojë pranë Ukrainës për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

“Ne do të përgatitemi me reformat që na duhen nga ana jonë. Ne do t’i mbështesim këto vende në çdo hap të rrugës në procesin e tyre të bazuar në merita derisa të jenë gati për t’u bashkuar me Bashkimin tonë. Me përvojën e saj të madhe, Marta Kos është personi i duhur për këtë punë”, tha Von der Leyen.

Von der Leyen prezantoi ekipin e saj të ri të komisionerëve dhe programin e tyre në Parlamentin Evropian, i cili u pasua me një debat dhe më pas PE do të votojë për miratimin e përbërjes së re të Komisionit Evropian.