Shqipëria feston sot 112- vjetorin e shpalljes së pavarësisë.
Më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur, duke deklaruar “Me një zâ venduan që Shqipëria të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme”.
Në shpalljen e pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, por 40 ishin firmëtarët që nënshkruan Aktin e Pavarësisë.
Ndërkohë po më 28 nëntor 1443, heroi ynë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu çliroi Krujën nga pushtimi osman dhe ngriti flamurin mbi kalanë e saj.
469 vite më vonë, më 28 nëntor 1912, i quajtur gjithashtu si “nëntori i dytë”, u shpall Pavarësia e Shqipërisë nga Ismail Qemaili i cili ngriti flamurin në Vlorë. Ismail Qemali ishte nisur që më 19 nëntor nga Triestja drejt brigjeve të Shqipërisë për të shpallur pavarësinë.
Më 21 nëntor, do të zbarkonte në Durrës prej vaporit të Llojdit austriak “Baron Bruck”. Në këtë qytet u prit në qelën e Dom Nikollë Kacorrit, i cili do të ishte pas një jave edhe zëvendëskryeministri i parë i qeverisë së 28 nëntorit. Sipas letërkëmbimit mes Eqrem Bej Vlorës dhe Mustafa Krujës, ngritja e flamurit ishte menduar të bëhej më 22 nëntor në Durrës, me qëllim parandalimin e përparimit të mëtejshëm të ushtrive pushtuese në territorin e vendit.
Por, për shkak të gjendjes së nderë në qytet, Ismail Qemali lajmëroi telegrafisht delegatët nga mbarë vendi që të drejtoheshin për në qytetin e tij të lindjes, në Vlorë.
Ndërkohë që forcat serbe përparonin me shpejtësi drejt Shqipërisë së Mesme, rrethet patriotike të Elbasanit (25 nëntor), të Tiranës e Durrësit (26 nëntor), të Kavajës, të Peqinit dhe të Lushnjës (27 nëntor), ngritën flamurin kombëtar, pa pritur mbledhjen e Kuvendit të Vlorës.
28 Nëntori është shpallur gjithashtu ditë festë edhe në Republikën e Kosovës.