Vdes një person në aksidentin në rrugën Lipjan-Shtime, policia jep detaje

Një person ka vdekur si pasojë e aksidentit që ka ndodhur sot në rrugën Lipjan-Shtime, përkatësisht në afërsi të fshatit Grackë e vogël.

Rastin e ka konfirmuar për Insajderin, zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

Ai tha se edhe një person tjetër ka mbetur i lënduar nga aksident mes një kamioni dhe dy veturave.

“Rreth orës 12:45, është raportuar për një aksident trafiku të ndodhur në rrugën Lipjan-Shtime, respektivisht në afërsi të fshatit Grackë e vogël. Nga informatat e para bëhet e ditur se në aksident janë përfshirë një kamion dhe dy vetura. Si pasojë e aksidentit, një person ka humbur jetën ndërkaq për shkak të lëndimeve të marra nga aksidenti një person është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, tha ai.

Për shkak të aksidentit janë krijuar vështirësi qarkullimi në segmentin rrugor Lipjan-Shtime-Topliqan – Bujan.

Njësia rajonale e trafikut ka dalë në vendin e ngjarjes, ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për lehtësimin e qarkullimit dhe ri drejtimin e trafikut, si dhe ka nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij aksidenti.