SHKODËR- Autori i vrasjes së 33-vjeçarit, Ramazan Mataj në Shkodër, është zbuluar nga kamerat e sigurisë. Në pamje duket autori, Arjona Hasaj, i cili largohet me një biçikletë nga vendngjarja.
Ndërkohë lidhur me ngjarjen, mësohet se janë shoqëruar edhe disa persona të tjerë, të afërm të tyre, që mund të kenë dijeni. Ndërkohë, hetimet janë në vazhdim për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të siguruar prova të mjaftueshme për ndjekjen penale të të dyshuarve.
Ramazan Mataj u ekzekutua më 4 janar 2025, në zonën e Dragoçit, ku u qëllua me breshëri plumbash brenda makinës së tij. Një nga pistat e hetimit të ngjarjes lidhet me konflikte personale, përfshirë mundësinë e ngacmimeve ndaj vajzave në rrjetet sociale.
Mëngjesin e 5 janarit u raportua se një prej fqinjëve ka dëgjuar të shtënat mbrëmë, por për shkak se pranë vendngjarjes ndodhet një lokal dasmash, ka menduar se bëhet fjalë për të shtëna nga dasmorët. Atë mëngjes, rastësisht banorët e zonës konstatuan viktimën brenda automjetit.