Të dielën përgatituni për acar, Shërbimi Meteorologjik Ushtarak: Fundjava sjell ulje drastike temperaturash

Pas javës që lamë pas, me temperatura të larta për këtë periudhë të vitit, tashmë do të përballemi me temperature të ulëta dhe mot të paqëndrueshëm.

Kjo vjen për shkak të kushteve atmosferike të paqëndrueshme dhe depërtimit të masave ajrore të lagështa nga perëndimi.

“Moti është me alternime vranësirash mesatare deri të dendura në pjesën më të madhe të vendit, ndërsa nuk do të mungojnë edhe intervale të herëpashershme me kthjellime kryesisht në pjesën qendrore dhe përgjatë Ultësirës Perëndimore”, thotë nëntogerja Eneida Doçi nga Shërbimi Meteorologjik Ushtarak (SHMU).

Edhe fundjava pritet të shoqërohet me mot të paqëndrueshëm. E diela do të sjellë ndër të tjera edhe ulje drastike të temperaturave.

“Do të ketë reshje shiu me intensitet mesatar në pjesën më të madhe të vendit prej orëve të mesnatës. Kemi rikthimin e reshjeve të dëborës në alpe dhe relievet malore në verilindje dhe juglindje të vendit në lartësinë mbi 600 m me intensitet të ulët dhe lokalisht mesatar.
Vlerat minimale pritet të regjistrohen -6 gradë Celsius në zonat malore dhe nuk pritet të kalojnë 13 gradë Celsius në zonat bregdetare dhe në perëndim të vendit”, shprehet nëntogere Doçi për RTSH.

Java e ardhshme do të fillojë me reshje të lehta shiu dhe bore, kryesisht të hënën në mëngjes. Pas mesditës, reshjet do të jenë lokale dhe me intensitet të ulët dhe do të vazhdojnë në ditët e javës.

Për shkak të ngricave dhe erës së fortë, rekomandohet kujdes i shtuar në rrugë, veçanërisht në zonat malore dhe bregdetare.