Moti i keq fut në “kaos” vendin/ Zonat malore bllokohen nga dëbora, Vlora përmbytet nga reshjet e shiut!

Trashësi mbi 40 cm dëborë janë regjistruar në zona si Mirdita, Bulqiza, Kukësi, Dibra, Librazhdi, Korça apo në çdo lartësi mbi 300 metra nga niveli i detit.

Moti i keq që ka pushtuar vendin në 24 orët e fundit ka krijuar probleme në disa qytetet nga veriu në jug. Nga bllokimi i rrugëve te mungesa e energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm janë disa nga problematikat e krijuara gjatë orëve të fundit.

Thuajse çdo zonë malore në vend është ngritur në pushtetin e dëborës mëngjesin e kësaj të diele. Trashësi mbi 40 cm dëborë janë regjistruar në zona si Mirdita, Bulqiza, Kukësi, Dibra, Librazhdi, Korça apo në çdo lartësi mbi 300 metra nga niveli i detit.
Rënia e ndjeshme e temperaturave shtoi ngricat në rrugët kryesore të vendit por autoritetet thonë se situata është në kontroll, përveçse në disa akse.

Bllokime dhe probleme për shkak të reshjeve të dendura të dëborës u shfaqën në “Bypass-Qafë Murrizë” në Dibër, në Fushë Arrëz – Iballë dhe Qafë Thanë – Librazhd dhe në zonat të tjera.

Në qarkun e Dibrës rruga e “Arbrit” është e pakalueshme. Emergjencat civile raportuan si të bllokuara edhe disa zona rurale, sidomos në qarkun dibër.

Gjatë natës zonat malore të Mirditës janë përfshirë nga reshje të dendura dëbore të cilat kanë vijuar me intensitet të lartë shoqëruar dhe me stuhi në zonat mbi 300 metra mbi nivelin e detit. Në njësitë Fan, Orosh dhe Selitë, trashësia e dëborës ka arritur në disa centimetra, duke bllokuar rrugët e fshatrave. Po ashtu, raportohet të ketë ndërprerje të energjisë elektrike, ndërsa lëvizja në Rrugën e Kombit nga Repsi në Thirrë po mbahet në monitorim, pasi ka prani të ngricave në rrugë.

Reshjet e dëborës kanë sjellë disa probleme në disa qytete të Qarkut të Elbasanit, si zona e Gramshit, Librazhdit, Prrenjasit, ndërsa në qytetin e Elbasanit bora ka zbardhur Funarin dhe Gjinarin.

Në disa fshatra të Qarkut Elbasan mungon energjia elektrike ndërsa grupet e OSHEE janë në terren. Gjithashtu dhe borëpastrueset ndodhen në terren për pastruar rrugët nga dëbora.

Në Bashkinë Librazhd, në njësinë administrative Stebleve dhe zona e Fushë Studen, niveli i dëborës ka arritur në disa centimatra duke sjellë vështirësi në qarkullimin rrugor.

Aksi Prrenjas-Pogradec është i bllokuar, duke bërë që makinat të mos kenë mundësi lëvizjeje. Nga ana tjetër, pas disa minutave bllokim, është bërë i mundur qarkullimi në Qafë-Thanë, ku kalimi po bëhet me zinxhirë dhe me kujdes nga automjetet.

Terrtori i Qarkut Lezhë vazhdon të jetë i përfshirë nga reshje shiu dhe dëbore, ku dëbora ka zbritur deri në qytetin e Lezhës dhe Laçit. Nga strukturat e Mbrojtes Civile të Bashkisë Kurbin, raportohet bllokim të aksit rrugor për tek Kisha e Shën Antonit ( kisha e Sh’na Ndoit ) në periferi të qytetit të Laçit, ku kanë ngelur të bllokuar disa mjete që kanë shkuar për pelegrinazh në vendin e shenjtë. Në Kurbin gjithashtu është anuluar mësimi për ditën e nesërme, për shkak të mungesës së energjisë elektrike.

Aty po ndërhyhet me mjete të bashkisë për pastrimin e kriposjen e këtij segmenti, kurse në akset e tjera nuk raportohen problematika.
Policia Rrugore Lezhë njofton të gjithë drejtuesit e mjeteve që udhëtojnë nga Skurajt në drejtim të Ulzës se segmenti rrugor në Qafë të Ulzës është i bllokuar për shkak të reshjeve të dendura të borës.

Porti i Durrësit anuloi vetëm lundrimin në drejtim të Barit dhe anasjelltas, ndërsa vijojnë punën tragetet për në Ankona dhe ato për në Brindisi nga Porti i Vlorës.

Ndërkohë që në Vlorë, reshjet e dendura të shiut kanë sjellë përmbytje të rrugëve në disa lagje të qytetit, duke sjellë vështirësi në qarkullim. Mësohet se aksi Albano-Romina është më i prekuri nga këto reshje. Gjithashtu edhe trotuaret janë bërë të pakalueshme për shkak të prezencës së madhe të ujit.
Shërbimet e Ujësjellës-Kanalizime janë angazhuar në terren dhe po ndërmarrin masa për normalizimin e situatës dhe pastrimin e rrugëve të bllokuara.

Furnizimi me Energji Elektrike
Si pasojë e motit ka pasur probleme të furnizimit me energji kryesisht zona rurale të thella malore. Në rajonin e Kukësit nuk ka pasur probleme të rënda me linjat dhe furnizimin me energji. Në orët e drekes, ka pasur problematika në rajonet e Elbasanit dhe Beratit.

Gjatë paradites Nënstacioni Radhimë është stakuar për arsye sigurie, pasi kishte nivel të lartë të ujit nga reshjet e shumta. Aktualisht ky nënstacion është rivendosur në punë dhe situata është normalizuar.
Në të gjithë vendin aktualisht janë 42 fidera me probleme. OSSH ka të angazhuar në terren 1500 punonjës me 196 mjete.

Në linjat e transmetimit nuk raportohen problematika, ndërkohë që në kaskadën e Drinit situata paraqitet me prurje normale.
Furnizimi me Ujë

Në stacionin e pompimit në Lezhë dhe Kurbin, ka pas ndërprerje të energjisë dhe po punohet për rikthimin në normalitet. Megjithatë, nuk ka ndërprerje në furnizimin me ujë. Në pjesën tjetër të vendit, situata e furnizimit me ujë dhe impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura janë në kushte optimale.