Reshjet spostohen në Jug, vjen i ftohti polar! Meteorologia zbulon parashikimin e motit për javën

Reshjet e shiut dhe borës që kanë përfshirë vendin këtë të diel do të spostohen drejt jugut shoqëruar me reshje intensive shiu dhe bore.
Meteorologia Lajda Porja tha në Euronews se situata do të jetë problematike me reshje të dendura shiu në Durrës, Elbasan, Vlorë ku pritet të bjerë deri më 100 mm shi.

Parashikohet shtim i borës në zonat veriore dhe në qarkun e Korçës.
Në orët e pasdites, 3-7 sistemi i e reshje intensive do spostohet në jug, dëbora do të zbresë në zona të ulëta.

Duke nisur nga e hëna reshjet do ndalojnë por do të ketë rënie të menjëhershme të temperaturave pasi masa e ftohtë polare zbret drejt Ballkanit. Priten temperatura shumë të ulëta gjatë javës, -11 gradë në zona të caktuara në veri. Ditët më të ftohta pritet të jenë e marta, e mërkura dhe e enjtja.

Moti i keq ka përfshirë vendin orët e fundit, ku reshjet e shiut e dëborës janë prezente.
Sipas raportimeve nga strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, situata deri në këto momente paraqitet si më poshtë:

Akset rrugore
Në qarkun e Dibrës rruga e “Arbrit” është e pakalueshme, pasi ka reshje bore të dendura. Firmat kontraktore po punojnë për hapjen e këtij aksi.

Aksi rrugor Kir-Shosh është bllokuar si pasojë e shembjeve të dherave dhe reshjeve të dëborës.
Rrugët rurale që lidhin bashkinë Fushë-Arrëz me njësinë administrative Iballë dhe fshatrat e saj janë të bllokuara.

Në aksin rrugor Elbasan-Qafë Thanë, në vendin e quajtur kthesat e “Murrashit: ka prezencë inertesh në rrugë. Në Qafë thanë ka reshje dëbore të cilat kanë vështirësuar qarkullimin e mjeteve të rënda. Në terren janë shërbimet e policisë rrugore
Akset kryesore Trebisht, Ostren të bashkisë Bulqizë me qendrat administrative, janë të bllokuara nga reshjet e borës.

Akset kryesore Selishtë, Lurë të bashkisë Dibër me qendrat administrative, janë të bllokuara nga reshjet e borës.
Rekomandohen përdoruesit e rrugës te lëvizin me shpejtësi të kufizuar, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe në akset me dëbore të përdorin gomat dimërore.
Portet

Në portet e Durrësit dhe Vlorës nuk janë raportuar probleme për lundrimin e anijeve.
Furnizimi me energji elektrike
Sipas raportimeve të OSSH, numri total i konsumatorëve të mbetur pa energji elektrike nga defektet TM-TU është 92 Abonentë, nga të cilët 27 abonentë janë në zonat urbane, 43 janë abonentë në zonat rurale dhe 22 abonentë në zona rurale të thella. Janë duke punuar ekipet e osshe për rikthimin sa më parë të energjisë elektrike.

Lumenjtë dhe rezervuaret
Nga raportimet e strukturave të sistemit të mbrojtjes civile në nivel vendor, të gjithë lumenjtë dhe rezervuarët janë brenda kuotave të tyre normale dhe nuk paraqesin asnjë rrezik.