Çfarë fsheh arabomania e Edi Ramës dhe ç’përfiton Shqipëria

Çfarë fsheh arabomania e Edi Ramës dhe
Edi Rama i vë hixhabin në kokë Giorgia Melonit
Pse ia vuri Edi Rama ‘hixhabin’ në kokë Kryeministres së shtetit më të rëndësishëm të katolikëve të Evropës?

Gjesti shokues i Edi Ramës në Abu Dhabi, ku i vendosi ‘shallin në kokë’ kryeministres italiane, Giorgia Meloni, ka shokuar mjedisin politik dhe mediat italiane.

Në disa debate mediatike, vendosja pa takt e shallit të dhuruar në kokë, në një vend që ligj themeltar ka sheriatin dhe ku gratë janë të mbuluara, nuk mund të mos merrte konotacione të tilla.
Nga ana tjetër, Meloni është kreu i një shteti, ku ndodhet edhe qendra e Kishës Katolike Botërore, pavarësisht se Italia është një vend laik, i lirë dhe mjaft i hapur e miqësor ndaj çdo feje tjetër, duke përfshirë edhe muslimanët.

Por Meloni, njihet për shprehjen e saj lapidare, thënë për publikun spanjoll para disa vitesh: “Io soy Giorgia, soy madre, soy Cristiana” (Jam Giorgia, jam nënë, jam kristiane”.

Gjesti pa takt i Bablokut tonë, u komentua si një sjellje e vrazhdë dhe pa kujdes nga mediat italiane, por në realitet nuk ishte thjesht një ‘gomarllëk’ i radhës për të bërë bujë, e as një mungesë e theksuar edukate ndaj një gruaje.
Ai gjest ishte një akt, dukshëm PR-i, për të ngrefosur sheikët e Emirateve, që të gëlojnë në rrjetet virale të publikut qindramilionësh arab, që kanë arritur t’i vënë hixhabin në kokë kryeministres së shtetit kryesor të krishterëve të Evropës.

Edi Rama, prej kohësh është në një marrëdhënie krejt të panjohur dhe të pazbardhur me botën arabe. Marrëdhënie që ka nisur jo vetëm si pasojë e lidhjes së Bablokut me Erdoganin, por edhe prej lobimit që Rama dhe Vuçiç kanë me studion e Tony Blair.

Është e qartë që Emiratet, që janë një shtet në ekspansion ekonomik prej dekadash tashmë, kanë investuar në Evropë, e posaçërisht në Ballkan. Në Serbi dhe në Shqipëri, ku janë aktivizuar projektet e blerjes dhe zotërimit të pasurive të paluajtshme. Në Beograd me ‘Water Front’ buzë lumit Sava dhe në Durrës me ‘Durrës-Marina’. Projekte që fshehin një mister të madh, pasi nuk dihen kush janë pronarët e vërtetë dhe çfarë përfitojnë.

Ndërkaq, përveç projektit të Marinës së Durrësit, që e kthen literalisht bregdetin më të rëndësishëm të Shqipërisë në pronë të sheikëve arabë, ka disa marrëveshje të tjera të Edi Ramës me ta. E siç e tha edhe ai vetë, këto marrëveshje do të zgjerohen edhe me Arabinë Saudite e Katarin. Vendin që financon prej 25 vitesh pushtetin e Rexhep Taip Erdoganit.

Shtetet e Gjirit Persik janë të pasura, edhe pse jo në demokraci. Janë shoqëri të mbyllura por që gjenerojnë miliarda dollarë, duke thithur pa fund interesin e botës së biznesit. Nuk janë vetëm vendet muslimane që bëjnë biznes me sheikët arabë, mbi të gjithë janë perëndimorët, por edhe Rusia dhe Kina. E cila është klientja më e rëndësishme e shteteve arabe në teknologji dhe në industri.

Që do të thotë se kemi të bëjmë me një lojë, ku natyrisht Shqipëria nuk mund të jetë pjesë e madhe e saj, por gjithsesi njerëzit duhet ta dinë se çfarë përfitojmë ne dhe partnerët sheikë nga paktet që Rama i shpall në momentin e fundit.

Këto marrëveshje, përveç aspektit autokratik, pra që kryeministri ynë nuk pyet askënd për ‘deal’-et e tij, apo klauzolat që përmbajnë ‘deal’-et, duket se janë më shumë se thjeshtë biznes. Janë një arabizim në kuptimin kuturor dhe politik të fjalës.

Që kur Rama ka nisur marrëveshjen me miliarderin e Emirateve që do të ngrejë një kompleks ndërtimi në Durrës, dhe që kontrollohet nga Mohamed Alabar, ky i fundit është kthyer në personazhin numër dy të vendit pas Ramës.

E kjo shihet qartë në mënyrën sesi ai sillet me mediat, sikur vërtetë të jetë lidership.
Por siç ka thënë Rama: Nuk keni parë gjë akoma!
Në Abu Dhabi u firmos një marrëveshje për krijimin e një shoqërie të përbashkët të letrave me vlerë, ku pronësinë do ta kenë sheikët e emirateve. Një ‘deal’, dukshëm për të zhvendosur borxhin shqiptar nga Black Rock-u amerikan tek sheikët e Gjirit.

Me fjalë të tjera, borxhin tonë nuk do ta kenë më në menaxhim ujqit e Wall Street-it por sheikët që i vunë Giorgias hixhabin në kokë nëpërmjet karagjozit të Surrelit. I cili sot nuk është asgjë më shumë, veçse një ‘kukull’ e arabëve, që dreqi e di nga ku komandohet.

Shkoqur “katoliku i vjetër”(Paulini) e ka arabizuar vendin më shumë se çdo musliman që ka pasur paraardhës. Dhe të përdorësh ndjeshmëritë fetare për para dhe pushtet…/Pamfleti