Është shkatërruar jeta e një njeriu/ Arrestimi i Veliajt, Rama do të mbledhë në sheshin “Skënderbej” punonjësit e Bashkisë

Këtë të enjte,  kryeministri Edi Rama, do të mbledhë në orën 16:30 në Sheshin Skënderbej, punonjësit e Bashkisë Tiranë.

Pritet që në këtë takim, të marrin pjesë rreth 6 mijë punonjës përfshirë edhe drejtoritë në varësi të bashkisë.

Ndërsa në orën 17:30, do të zhvillojë një takim me këshilltarët e majte në bashkinë e Tiranës.

Më herët, kryeministri Edi Rama, në rubrikën Sy më sy në “Facebook”, foli edhe për punën e SPAK dhe arrestimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Rama tha se SPAK ka anë të mira, por edhe negative. Sipas tij, në rastin e Veliajt, është shkatërruar jeta e një njeriu për budallallëk profesional.

Më tej, Rama shtoi se e mbështetet SPAK, por se duhet që të jetë strukturë e pavarur dhe me standard profesional e europian.

“Profesionalen duhet ta konsolidojmë. Ka gjëra negative, por edhe gjëra pozitive. Kur shkatërrohet jeta e një njeriu për budallallëk profesional është e tepruar.

Nuk mund të hetohet me metoda të Sigurimit të Shtetit, synojmë të kemi drejtësi të pavarur dhe të standardeve europiane. Unë uroj të jetë një lajthitje e momentit dhe të ndalet survejimi në territor.

Nuk mund të kthehemi në kohë të errëta, sa kush merret me politikë të survejohet. Drejtësia duhet mbështetur fuqimisht, që të bëjë punën e vet.

Secili është në punën e vet, ne kemi punën tonë dhe nuk duhet të ndërhyjmë tek njëri-tjetri. Por, duhet të luftojmë të gjithë për drejtësi profesionale”, tha Rama.