Një incident ka ndodhur në ceremoninë mortore të Mentor Palokajt, vëllait të reperit të njohur Unikkatil.
Sipas raportimeve, teksa turma po shpërndahej pas varrimit, djali i Unikkatilit, Roni, është përfshirë në një konflikt fizik me një pjesëmarrës në varrim.
Përplasja mes tyre u përshkallëzua shpejt, duke bërë që të pranishmit të ndërhynin menjëherë për t’i ndarë. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentet e tensionit, ndërsa të afërm dhe miq të familjes ndërhyjnë për të shmangur një konflikt më të rëndë.
Siç shkruajnë mediat nga Kosova, motivet që çuan në këtë incident ende nuk dihen, por ngjarja ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale.
Bazuar po ashtu në këto raportime, aty u dëgjuan sharje dhe po ashtu ofendime. “Çka *** po këqyrë”, ishin fjalët të cilat u dëgjuan.
Kujtojmë se Mentor Palokaj ndërroi jetë pak ditë më parë, ku i gjet i pajetë në një banesë në Prishtinë.
Sipas raportimeve të mediave, ngjarja ka ndodhur në lagjen ‘Arbëria’ në Prishtinë. Policia e Kosovës njoftoi se vdekja e tij u konstatua nga ekipi mjekësor në vendngjarje, por shkaku ende mbetet mister.
“Sot rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një person pa shenja jete në një banesë në lagjen Arbëria në Prishtinë. Viktimë në këtë rast është një mashkull (1983), vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Hetuesit policor në koordinim me prokurorin po ndërmarrin të gjitha veprimet e duhura që do t’i kontribuonin hetimit të ngjarjes”, tha më herët zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Vlora Ahmeti për mediat.